BE-ja hodhi një tjetër hap drejt heqjes së ndryshimit të orës në pranverë dhe vjeshtë.
Një komision i Parlamentit Europian votoi të hënën me 23 vota pro dhe 11 kundër për heqjen e këtij ndryshimi në vitin 2021.
Vendimi ndërkohë se cila orë do të mbahet, ajo dimërore apo ajo verore është shtyrë për më vonë.
Si komisioni i BE-së, ashtu edhe Parlamenti Europian mendojnë se koha për këtë lëvizje të akrepave ka kaluar, por për të ndryshuar ritualin nevojitet aprovimi i të 28 shteteve anëtare të bllokut dhe ai mungon.
Ky ishte rezultati që doli nga sondazhet e bëra me qytetarët e BE, por anketimet nuk ishin përfaqësuese sepse 3 milionë nga 4,6 milionët që votuan ishin nga Gjermania.
Diplomatët e Bashkimit Europian nga vendet e tjera më të vogla u ankuan se Komisioni i BE kërkon që të detyrojë shtetet të plotësojnë dëshirën gjermane.
Anëtarët e bllokut duan t’i japin kohë vetes; ndër to, më këmbëngulëset për ruajtjen e rregullave të vjetra janë Britania e Madhe, Greqia dhe Portugalia, ndërsa Qipro, Holanda, Danimarka, Franca dhe Irlanda nuk kanë marrë ende vendim./tch