Në 2013 një Bathore buzë mrekullisë së Jonit, sot Himara turistike

“Kur ne u zgjodhëm në 2013 Himara ishte një bathore në buzë të mrekullisë së Jonit, një vend i mbaruar, pa asnjë lloj infrastrukture dhe fuqie tërheqëse përveç detit”.

Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në takimin elektoral me banorët e Himarës, ku kandidon për një mandat të dytë kandidati i Partisë Socialiste, Jorgo Goro.

“Ndërkohë që njerëzit që kanë vendosur të jetojnë këtu me biznesin e tyre të vogël turistik mbijetonin në kushtet e varfërisë dhe falë burimeve të emigracionit ia dilnin të investonin për një shpresë më të mirë për nesër”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ja ku jemi këtu mjafton të ktheni sytë majtas e djathtas e të kujtoheni se ku ishit në këtë vend katër vjet më parë në raport me ambicien e Himarës turistike”.

“Sot Himara nuk është ajo që ne duan, por është në transformim e sipër për tu bërë ajo që ne duam. Sot mund të themi që kemi bërë shumë punë për Himarën që nuk janë mjaft për çfarë Himara mund të bëhet dhe duhet të bëhet për njerëzit e këtij vendi si dhe ekonominë kombëtare, por janë mjaft për të kuptuar kushdo që ka sy e do të shoh dhe mendjen e ka në vend, si dhe trurin nuk e ka lënë në frigoriferin e SHQUP-it, se ne jemi të vetmit që mund ta bëjmë, o e bëjmë ne o nuk e bën askush tjetër as Himarën as Shqipërinë”-, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë falënderoi edhe deputetin Damian Gjiknuri për kontributin që ka dhënë në qarkun e Vlorës, si dhe kryetarin e bashkisë së Himarës Jorgo Goro./atsh

Loading...