Në 5 vjet, dyfishim i numrit të turistëve në Shqipëri

“Në 5 vjet ne kemi arritur të dyfishojmë numrin e turistëve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projektit të përbashkët mes BE-së dhe BERZH-it për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

“Kur them ne kemi arritur të dyfishojmë, Shqipëria ka arritur të dyfishojë numrin e turistëve. Sigurisht, ne besojmë që kemi pasur një rol jo të vogël në këtë rritje kaq domethënëse”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se, “duke parë shifrat e muajit prill, krahasuar me prillin e një viti më parë, kemi përsëri rritje e duke krahasuar katër muajt e parë të vitit me katër muajt e parë të një viti më parë, konstatojmë përsëri rritje.

“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse turizmi është ekonomi, është punësim, sigurisht edhe integrim. Sa më shumë turistë të vijnë në vendin tonë, aq më shumë njerëz do të kemi jashtë vendit tonë, që do të thonë të vërtetën mbi Shqipërinë, e cila ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë nga stereotipet dhe nga perceptimet e krijuara, pa e njohur atë nga afër”, tha Rama.

Kryeministri citoi po ashtu një investitor të huaj i cili vlerësoi Shqipërinë si një vend ideal për të gjithë ata që duan të investojnë në turizmin e të ardhmes.

“Sot paradite, unë prita një investitor të madh, i cili erdhi në Shqipëri, nuk e di pas shumë kohësh ftesa apo pritje dhe nuk mbaronte së më shprehuri se sa keq i vinte që Shqipëria që kishte imagjinuar ishte komplet pa lidhje me Shqipërinë reale dhe se sa i vonuar ndihej në ardhjen në këtë vend që, sipas tij, ishte një vend ideal për të gjithë ata që duan të investojnë në turizmin e të ardhmes”, tha Rama./atsh

Loading...