Në dukje, një lajm i tillë nuk ka asgjë të çuditshme, por nga një kërkim pak më i imtësishëm, rezulton se që prej 21 janarit të 2011-s, Meta gjithmonë sajon një pretekst për të mos qënë në këtë datë në Shqipëri.
Kështu, faqja e Ambasadës Shqiptare në Vjenë tregon se në vitin 2013, Ilir Meta udhëtoi në këtë datë për një “takim pune” në kryeqytetin austriak.
Një vit më pas, në vitin 2014, në 21 janar Meta udhëtoi në Marsejë, për të qenë i pranishëm në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut.
Vitin pasardhës u gjet një vizitë zyrtare 3-ditore në Shkup. Nga 20 janari deri në 22 janar, Meta ishte në kryeqytetin maqedonas për t’u takuar me Gruevskin.
Në 2017-n, Ilir Meta udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në 2018-n, e kaloi të gjithë 21 janarin në Kosovë, përsëri në vizitë zyrtare.
Ndërsa sivjet, Presidenti i Republikës ka gjetur “si shpëtim” Malin e Zi.
Mund të jetë thjesht një rastësi, por duke parë ngarkesën emocionale dhe domethënien që ka kjo datë për Ilir Metën, kemi të bëjmë në rastin më të mirë me një rastësi vërtet të çuditshme.