Në ç’kohë po jetojmë? – Nga Genc Demiraj

Nga Genc Demiraj

Në ç’kohë po jetojmë ?

Po jetojmë në kohë të çuditëshme, të mbrapshta, të pakuptimta. Kohë ku frika është pak, ta mendosh dhe gëzimin është shumë, ta përjetosh… Askush nuk mund ta thotë, që ditët e kësaj jete dhe të jetuarit e këtyre ditëve, janë të bukura, dhe plot gjallëri. Po jetojmë në kohën më të veçantë, që njerëzimit veç njëherë në jetë mund ti bjerë në hisé. Ku ditët gdhihen të ngrysura dhe netët ngecen në muzg ! Ku jetët e gjithësejcilit nuk kanë siguri, ku mundi i derdhur të shkon kot , arritjet e deritashme nuk kanë vlerë, ku shtetet dhe supershtetet janë përgjunjur dhe fikjet njerëzore nuk kanë radhë.
Po jetojmë në një kohë, ku realiteti të ngatërrohet me fantashkencën, ku liria kolektive po merr fund dhe vendimi selektiv për jetën po zhbën selektimin natyral ! …Ptyhh, ç’farë kohe !
Kohë përgjumjeje globale, përgjumje njerëzore, përgjumje kombesh, racash, religjionesh. Përgjumje idesh, kërkimesh, zbulimesh. Përgjumje në ekonomi, në arsim, në mjeksi…pra përgjumje totale në gadishmërinë e kujdesit jetësor !
A duhet ta kuptojmë se në ç’kohë jemi ?
Në kohë virusi qindra dhe mijëra mikronësh, që po shtrin përtokë burra shtetesh, shtete popujsh dhe popuj kombesh…që po zgërlaq mbretëri, republika, liderë, politikanë. Miliarderë me shumë para dhe me pak dituri, shkencëtarë me shumë dituri por me pak para, gjeneralë me shumë ushtri dhe ushtri me shumë armë . Kohë virusi mijëra mikronësh, i vogël gjer në i pavlerë, por që si në horror po na rrëmben si pakuptuar më të vyerit dhe më të vlerët që ne kemi… gjyshërit, prindërit, rininë, fëmijët, jetët tona…
Sot po jetojmë këtë kohë të mbrapshtë, që veç një herë në jetë mund të na bjerë në hisé…po jetojmë këtë kohë pandemie me dëme dhe dhimbje të mëdha njerëzore por me një shkundje për një rilindje totale, për një të nesërme krejt ndryshe… Dhe e nesërmja nuk është larg, ajo po vjen.

Loading...