Në kërkim prej 3 vitesh, nipi i ish-deputetit socialist flet për herë të parë nga arratia: ‘E mësova nga portalet…’

Samuel Ndoka, djali i Aleksandër Ndokës që u vra më 9 Dhjetor 2017 në Lezhë dhe nipi i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ka folur nga arratia për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus.

Aktualisht ai është në kërkim prej 3 vitesh për shitje droge, armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të policisë, vepra për të cilat Prokuroria ka kërkuar 18 vite burg ndaj tij.

Në intervistën ekskluzive, Samuel Ndoka mohon përfshirjen në këtë ngjarje dhe thotë se disponon prova që më 15 Qershor 2018 kur dhe është kryer operacioni policor, ai ka qenë në shtëpi.

Spartak Koka: Përse ju jeni aktualisht në kërkim policor që prej vitit 2018? Për cilën arsye?

Samuel Ndoka: Më akuzojnë për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë të një aksioni policor që u bë në aksin Lezhë-Milot. Nuk kanë asnjë provë, përkundrazi disponoj të gjitha provat e mundshme që nuk jam i përfshirë në atë ngjarje fare.

Spartak Koka: Bëhet fjalë për një ngjarje që zhvillohet më 15 Qershor të vitit 2018, rreth 23:54 minuta, sipas Prokurorisë dhe policisë në ambientet e jashtme të një bar-kafe në Milot në rrugën Laç-Lezhë mbërrijnë 5 persona me një makinë me targa të huaja CY189PV dhe njëri prej tyre i kërkon agjentit të infiltruar për t’u prezantuar dhe për të shitur 200 kg kanabis sativa. Njëri prej personave që largohet në tentativën në këtë operacion të infiltruar të policisë, rezulton sipas Prokurorisë që të jeni ju. Për këtë ngjarje janë të akuzuar shumë persona të tjerë. Çfarë lidhje keni ju me këtë ngjarje dhe ç’rol keni patur në këtë histori?

Samuel Ndoka: Unë nuk kam patur asnjë rol. Unë e kam mësuar që jam shpallur person në kërkim nga portalet disa ditë mbrapa më ka dalë emri në portale, në televizor, në media, kudo, që jam i përfshirë në këtë ngjarje.

Spartak Koka: Të akuzuar janë Ramadan Dushaj, e njihni këtë person?

Samuel Ndoka: Për herë të parë në jetën time i kam lexuar emrat te dosja ime dhe në internet.
Spartak Koka: Rezart Cacanin e njihni?

Samuel Ndoka: Nuk e njoh!

Spartak Koka: Fatbardh Gostini?

Samuel Ndoka: Fatbardh Gostini është një çun i lagjes tonë që jemi lindur e rritur me të. E njoh se e kam komshi. Më shumë nuk di.

Spartak Koka: Neritan Saraçin e njihni?

Samuel Ndoka: Nuk e njoh!

Spartak Koka: Ardit Haxhagiqi?

Samuel Ndoka: Nuk e njoh!

Spartak Koka: Gentian Markun e njihni?

Samuel Ndoka: Po, e njoh. Është shok i vëllait.

Spartak Koka: Vilson Nokën?

Samuel Ndoka: Kushëriri.

Spartak Koka: Elis Guri?

Samuel Ndoka: Nuk e njoh!

Spartak Koka: Luan Boci?

Samuel Ndoka: Nuk e njoh!

Spartak Koka: Oltion Nokën?

Samuel Ndoka: Është vëllai i Vilsonit, kushëriri tjetër.

Spartak Koka: Fatjon Marku?

Samuel Ndoka: Dhe ai është vëllai i Gentianit, shok i vëllait tim.

Spartak Koka: Dhe këtu është dhe emri juaj. Ju akuzoheni nga SPAK për 3 vepra penale; prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe për kundërshtim të punonjësve të policisë. Por prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të struktuar kriminal. 18 vite kërkon Prokuroria për ju. Sipas Prokurorisë, është një shenjë gishti që rezulton e juaja nga akti i ekspertimi daktiloskopik krahasues rezulton se gjurma papilare e pasqyruar është formuar nga gishti tregues i dorës së majtë të të pandehurit Samuel Aleksandër Ndoka. Kjo është ajo që ne kemi gjetur në dokumente që përmendet si provë ndaj jush dhe që ju jeni personi i cili jeni larguar dhe personi i pakapur nga policia dhe Forcat e Posaçme Operacionale. Çfarë ju lidh ju me këtë gjurmë gishti në vendin e ngjarjes?

Samuel Ndoka: Unë në vendngjarje nuk kam qenë, disponoj prova, disponoj hard-disk të kamerave që kam qenë te shtëpia në atë moment që ka ndodhur ngjarje, disponoj hyrjen që kam hyrë në shtëpi edhe kur kam dalë pasi ka ndodhur ngjarja, arrestimi në Milot, sepse më kanë marrë në telefon më kanë thënë dil se ka ndodhur diçka për Vilsonin, dhe kam dalë. I kam të gjitha provat, kam numrin e telefonit që mund ta lidhin nëpërmjet qelizave, disponoj çdo numër telefoni të familjarëve të mi që kam pasur përreth që t’i shikojnë.

Spartak Koka: Ti na ke dhënë një numër telefoni që pretendon se e ke patur në përdorim në atë kohë. Ka qenë numri në emrin tuaj?

Samuel Ndoka: Nuk ka qenë në emrin tim, ma ka sjellë një kushëri i imi.

Spartak Koka: Pra këtë numër ke përdorur në atë kohë?

Samuel Ndoka: Këtë numër kam përdorur në atë kohë.

Spartak Koka: Dhe çfarë provon nëpërmjet këtij numri?

Samuel Ndoka: Provoj që në atë moment kam qenë në shtëpi./tvklan.al

Loading...