Sot në Kukës u ul avioni i parë, por Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se nuk e mbajti premtimin, pasi fluturimet ndërkombëtare nuk mund të kryhen për shkak se pista nuk ka certifikatë sigurie.
E ndërsa e krahason me negociatat, që sipas selisë blu nuk u hapën kurrë, PD shton se ky është eksperimenti i fundit që Rama bën me shqiptarët.
“Hapja e aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare, premtim tjetër i pambajtur i Edi Ramës. Ulja e një avioni të Air Albania në Kukës s’u bë nga Londra, siç premtoi Rama, por nga Rinasi, sepse aeroporti s’ka certifikata sigurie.
Me Ramën në krye të qeverisë, fluturimet ndërkombëtare në Aeroportin e Kukësit janë si hapja e negociatave me BE: Ato nuk ekzistojnë. Ky është eksperimenti i fundit që Rama bën me shqiptarët. Kryeministri më i dështuar dhe më i paaftë në historinë e vendit do të largohet në 25 prill nga shqiptarët që duan ndryshim” deklaron PD.