‘Në të ardhmen do merremi më shumë me Shqipërinë’, çfarë deklaronte prokurori italian në 2019

Drejtuesi i Prokurorisë së Cataranzos Nicola Gratteri i kishte paralajmëruar hetimet për ndikimin e organizatës mafioze Ndragheta në Shqipëri që në vitin 2019.

Në një intervistë të dhënë për mediat vendase rreth dy vite më parë ai është shprehur se në ardhmen do të merren më shumë me Shqipërinë duke e cilësuar atë si një vend me nivel të frikshëm të përhapjes së korrupsionit.

Ndër të tjera Gratteri shprehej se në në 1/3 e Shqipërisë kultivohet marijuanë duke theksuar se ata janë mjaft prezentë edhe në Holandë.

“Në të ardhmen besoj se ne do të merremi shumë me Shqipërinë, sepse mafia shqiptare është shumë e fortë. Ekziston një nivel i frikshëm i përhapjes dhe korrupsionit.
1/3 e Shqipërisë është mbjellë në marijuanë. Shqiptarët janë shumë të fortë dhe shumë prezentë në Holandë, sa që qeveria holandeze është shumë e shqetësuar dhe po mendojnë të modifikojnë ligjin për drogat, mbi të gjitha për konsumin, shitjen e të ashtuquajturave droga të lehta.

Sidoqoftë në Holandë nuk është e legalizuar shitja, është e toleruar, që është diçka ndryshe dhe është e lejuar në disa bare për të mbajtur jo më shumë se gjysmë kg marijuanë dhe ta shesësh.

Mendohej se ishte një zgjidhje e problemit, realisht në vitet e fundit kanë parë se kanë pasur një kërcim të krimeve”, thotë Gratteri.

Përgjimet e autoriteteve italiane për dosjen “Ndragheta” janë kthyer në kryefjalë të diskutimeve dhe akuzave politike përgjatë ditëve të fundit në vendin tonë, kjo për shkak se në to përmenden kryetari i Bashkisë së Tiranës, presidenti, shefi i policisë si dhe një zv. ministër.

Loading...