Këtë vit Shqipëria është kthyer në një atraksion për shumë të turistë të huaj, të cilët kanë zgjedhur që disa ditë nga pushimet e tyre t’i kalojnë në bregdetin tonë, por edhe në zonat malore. Thënë ndryshe, në tre muajt e parë të këtij viti, rezulton se turistët kanë shpenzuar në vendin tonë 624 mln euro.
Shuma në fjalë tregon se shpenzimet janë rritur me 53% në raport me fillim vitin e kaluar, kur turistët lanë në vendin tonë 408 mln euro. Ka dy arsye për këtë rritje në nivele kaq të larta. Fluksi më i lartë i njerëzve që vijnë dhe çmimet e rritura.
Numri i të huajve që hyjnë në vendin tonë është rritur me 48% këtë fillimvit. Rritja e përgjithshme e çmimeve, përfshi edhe ato në shërbimet turistike, po ashtu kanë ndikuar në këto flukse parash që raporton Banka e Shqipërisë.
Kujtojmë se gjatë vitit 2022 si të plotë, turistët shpenzuan në vend rreth 2.8 miliardë euro, duke regjistruar nivele rekord të larta.
Nivele rekord shpenzimesh raportohen edhe nga shqiptarët jashtë, me 434 milionë euro në tre muajt e parë të 2023-shit.
Kjo bën që bilanci neto mes shpenzimeve të turistëve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë të arrijë në 190 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në këtë periudhë të vitit.