Në shekullin e kaluar e ndoshta edhe më larg, ishte obligim që vajza që martohej të sjelltë pajë te burri. Kjo lloj dhurate përfshinte veshje solemne, qëndisje, ari, stoli, ndonjëherë edhe para. Nusja, pos bukurisë vlerësohej edhe për pajën qe sjelltë. Shpesh paja e sajë ekspozohej dhe mysafirtë me ditë të tëra kishin rast ta vlerësonin e komentonin këtë pasuri të sjellë . Këto dhurata e punëdore simbolizonin edhe pasurinë e vajzës të trashëguar nga prindërit, pas ndarjes fizike nga familja. Mirëpo, në të vërtetë kjo as përafërsisht nuk mbulonte pasurinë e cila sipas kodeve të sotme do të i takonte vajzës si pjesëtare e barabartë më vëllezërit në pasurinë familjare.
Për pajën qe sjelltë nusja, në fshat e qytet flitej me javë e muaj. Një vajzë shqiptare ka shkaktuar komente rreth pajës së sajë, jo disa muaj, por disa dekada. Ishte kjo Nevreze Frashëri, e bija e poetit të famshëm Naim Frashërit e cila solli një pajë, jo të zakonshme për kohën. Rreth vitit 1890 Nevrezëja u martua me Xhafer Luarasin, si pjesë të pajës ajo solli edhe një piano. Ishte ajo kohë, kur tërë Shqipëria mund të ketë pasur 4-5 piano, kurse femra pianiste ishte gati e panjohur në këtë vend. Kjo pajë-piano, ishte befasi e madhe për atë kohë, ndaj mbeti e shënuar në gazetat e atyre viteve, por edhe në biografinë familjare të Frasherlinjëve.
Në fotografinë e më poshtë shihen vëllezërit Sami e Naim Frashëri (në këmbë) me familjet, fotografuar në Stamboll rreth vitit 1882. Vajza pianiste e ardhshme, është në anën e majtë në prehrin e bashkëshortes së Naim Frashërit i cili qëndron në këmbë në anën e djathë pranë Samiut.
Naim Frashëri kishte dy vajza. Vajza e parë me emrin Nerqeze i vdesë herët, tre vjeçare, në vitin 1881. Poeti e vajton atë në vjershën “Mbi trupin e bijës sime të vdekur”. Vajza e dytë “pianistja” me emrin Nevreze i lind në Stamboll. Ajo rritet dhe edukohet me një kulturë të gjerë, fliste arabisht, frëngjishte, shqip e turqisht, udhëtonte nëpër Evropë dhe kishte dashuri për arte, sidomos – muzikë.
Sado që ajo bëri bujë me pianon e sajë, duket se muzika as pianoja nuk e ndihmuan në këtë martesë të hershme. Pas tri vitesh ajo u nda nga bashkëshorti Luarasi për shkak të kundërshtimeve që kishte me zakonet e rregullat e familjes së tij, të cilat i dukeshin prapa kohës. Duket se edhe familja e Xhafer Luarasit nuk pajtohej me sjelljet dhe kulturën e natyrën e hapur të nuses, e cila ishte rritur në një familje moderne intelektualësh, për kohën.
Pianistja Nevreze, tani vejushë e re, nuk dëshpërohet nga kjo ndarje. Disa vite më vonë martohet në Stamboll me Shain Kolonjën, atdhetarin veprimtarin e publicistin i cili, një kohë ishte edhe deputet i Korçës në Parlamentin Osman dhe anëtarë i Komisionit të Gjuhës të Kongresit të Manastirit. Pianoja e saj, mbeti shembull e pjesë e historisë së familjes Frashëri, por nuk dihet çfarë ndodhi me të dhe me dashurinë e pianistes për muzikën./ Albumi Akordet e Kosovës/ KultPlus.com