Në vend të parathënjes për librin “LEGJENDA E DHEMBJES SË HESHTUR” – Nga Hasan Qyqalla

Në vend të parathënjes për librin “LEGJENDA E DHEMBJES SË HESHTUR”
E përgatitën Hasan QYQALLA dhe Mustafë KRASNIQI
Redaktor: Berat Luzha
Recensent: Martin Çuni
Kopertina: Artan Krasniqi
Faqosja dhe radhitja: Arjeta Krasniqi
Botues: Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës
Prishtinë 2017

KRONOLOGJI E DHEMBJES KRENARE
Pra, ishte dekada e fundit të shekullit të fundit. Atëherë dhembja prekte aortën e zemrës. Gjaku nuk ndalonte në portën e ofshamës. Frymën e merrnim nga flladi që frymonte si puhizë gushti prej perëndimit. Çastet kur kujtoja Babin të torturuar e të ngrehur zvarrë oborrit, ruaj kujtimet e rritës sime si fëmijë. Momenti më makabër ishte kur pashë vëllain, si Sefë Kosharen, me të vetmin ndryshim: Derisa Sefën e varën, vëllai nuk i përballoi torturat që i përjetoi Babai, Gjyshi e Stërgjyshi! Atë e gjetëm me një copë letër të shkruar: “Unë po bëhem kurban i fisit, i popullit…, u takofshim të lirë në amshim”! Çfarë deshi të thoshte i vetësakrifikuari me këtë? Nuk ka vdekje më krenare se të vdesësh për Liri, pa i tradhtuar idealet, pa i nxjerrë shokët e idealit. Kësaj vdekjeje të diturit i thonë vetëflijim! Këtu, m’u kujtua promovimi i librit “Terrori apo Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1444 – 1999” ku, në fjalën time pata cituar se “Liria shqiptare, e veçanërisht liria e Kosovës është shkruar me alfabetin e gjakut”! Nuk dihet nëse mbeti një pëllëmbë e tokës sonë pa u larë me gjak. Nuk më kujtohet më as si vdes njeriu. Nuk e kujtoj as si vdes diktatorizmi. Nuk e di nëse vdekjet e vëllezërve morën me vete të vdekurit e gjallë, përkundër hipotezës së ngritur në ajrin e rralluar. Nuk e di si do të flasim, kur ofshama më ndjek pas si sufler skene pas perdeve…! Nuk e kujtoj as ndarjen e fundit, se nuk u përshëndetëm që të mos takoheshim më kurrë, as zëri i fundit kur më thirri “oj motër”, u bëfsha kurban i Dheut të përvuajtur! Do të jem Konstandini, që ngritem nga varri… me erë Dheu, të të marrë në gjini. Do të bëj nëntë konaqe rrugë, që ta hap portën kur të martuan vëllezërit me shkues. Mbase Kosova jonë pati rrugë më të mundimshme, më të përgjakshme, më të thepisur se dhiaret tona. Nuk e pata lehtë unë e zeza motër të prehem në dhembjen e lotit, në thellësinë e lotit, në ngjyrën e lotit, ngjyrë që më vrau e më ngjeu zemrën…! Po motra nuk qanë, as nuk vajton…, mbase vajtimi nuk është lindja e së resë. Vajtimi është mbyllje në epruvetë, izolim në vetëvete, trishtim i vjetshëm! Motra e ruan kujtimin e buzëqeshjes të freskët si lulja në vazon e pranverës. E ujis me lotët e mallit, deri sa të nxjerrë petalet, kurorën, aromën… Aromë, që preku qiejt e kaltër, mbi atë qiell të mugët, mbi ato re të zeza që vinin çdo stinë…! Vëlla, motra mori dhenë…, jo se theu BESËN për Ju, por se djepat do përkundim prapë. Nuk shkon kurrë gjaku i humbur! Ai do lahet, o me grosh, o me gjak! Prandaj, isha me ju: qoftë mbi Dhe, qoftë n’amshim; si i përlotur, si në gëzim; si në mugë të blertë, si rrugëtimit, për fushëmali e det! Unë, loti i prajshëm i dhembjes, ofshama mes dilemës e psalmit të së shenjtës… Unë, që gërshetoj madhështinë tuaj, jo për shtatin, por për çastin! Çasti, kur me shtatë plagë si të Gjergj Elez Alisë, me motrën pranë, nxore frymën e fundit duke kënduar Himnin e Lirisë… Ah, vëllezërit e motrës… u bëtë hije e kohës, rreze e dritës, rritë e vegjëlisë… Ju pastë motra! Sot, ju shoh në çdo çast, çdo ditë… Ju betohem, siç u betuat ju për tokën e përvuajtur, për Atdheun e rinuar e Dardaninë e moçme të planguar! Ju shoh se si bebëzat e syrit lëshojnë rreze mbi fshatin e lindjes në Duraj… e shtriheni për re deri në Prekazin legjend-ar! Aty ku prehen të shenjtëruarit e Besës, aty ku flijohet trupi e shpirti e ngrihet në re për jetën e re…! Zoti, thonë të diturit, nuk gabon kurrë, prandaj u lidha me Zotin që u mishëroi me Tokën e shenjtë dhe gjakoi me bekimin hyjnor. Edhe dhembja paska formulën e krenarisë, kur frymojmë me kurorën e Lirisë,… motra e vëllait. AUTOR Prof.Hasan Qyqalla

Loading...