Në vendin ku u ndalua gjakmarrja. Aty ku rakia, kënga dhe tradita bashkohen në një

Në vendin ku u ndalua gjakmarrja. Aty ku rakia, kënga dhe tradita bashkohen në një.Këmborët e dhenve herët në mëngjes na zgjojnë. Era e bërsisë, gati për t’u kthyer në raki, përzihet me aromën e kafes turke.

E zonja e shtëpisë po përgatit për të na e servir. Ngrihemi nga shtrati dhe zbresim për në verandë, ku na priste Sheme Toçi, i zoti i shtëpisë që na kishte bujtur atë natë. Sapo hedhim sytë nga horizonti, shohim një pafundësi bardhësie që kishte mbuluar gjithçka poshtë nesh; vetëm majat e larta të maleve të Labërisë mund të shquheshin, dhe asgjë tjetër. Në tavolinën ku ndodhej Shemja, përveç kafes dhe gotave të rakisë, ishte shtruar edhe mëngjesi ynë: arra dhe mjaltë. Trokasim gotat e rakisë me Shemen dhe nisim bisedën me të. Sheme Toçi ishte ndërtues prej tri brezash. Gjyshi dhe i ati kishin qenë ndërtues me emër në zonën e Kuçit, dhe ky i fundit nuk kishte si ta linte traditën e familjes. Ai nis të tregojë, lidhur me zonën e Labërisë dhe, në veçanti me Kuçin, fshatin që ai nuk e kishte braktisur asnjëherë. Sipas tij, emri i fshatit do të thoshte enë me dy vesh, pasi Kuçi ndodhej mes malesh dhe i ngjante një enë gatimi. Mes bisedave të shumta, shishja e rakisë sa vinte e boshatisej dhe kokat tona kishin filluar të trulloseshin disi, por asnjëri nga ne nuk e jepte veten dhe nuk i thoshte dot jo pijes, pasi në këtë zona është ofendim, nëse ia refuzon rakinë të zotit të shtëpisë.
Pas dy shishesh raki të zbrazura dhe pas historive të Kuçit, lëmë pas shtëpinë e Sheme Toçit dhe zbresim për në qendër të fshatit. Një atmosferë shumë e ndryshme, nga ajo qetësi në shtëpinë e Shemes ku, veç zhurmës së pikave të rakisë që dilnin nga kazani, asgjë tjetër nuk dëgjohej. Në qendër të fshatit sheh kudo flamuj kuq e zi dhe në çdo lokal dëgjohen këngë labe. Grumbuj njerëzish sa vinin dhe pushtonin sheshin përpara bustit të heroit Zenel Gjoleka, i cili hidhte shikimin nga malet, sikur kërkonte të shquante ushtritë armike. Lebër nga të 17 fshatrat e Labërisë ishin mbledhur në Kuç, për të përkujtuar 85-vjetorin e Kuvendit Zakonor të Labërisë. Nga sa mësuam më parë nga Shemja, ky kuvend kishte qenë shumë i rëndësishëm për kohën kur u mbajt, pasi në të janë diskutuar dhe vendosur një sërë rregullash, të cilat parandaluan gjakmarrjen në këtë zonë: ndaluan martesën e fëmijëve që në djep, si dhe lehtësuan ndjeshëm pozitën e gruas në këto zona. Shemja na kishte treguar se në këtë kuvend kishin ardhur delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, përfshi këtu edhe Kosovën dhe Çamërinë. “Për në këtë kuvend ishin nisur edhe Fan Noli dhe Bajram Curri, por ata ndaluan në Vlorë, pasi u njoftuan se ushtria e Zogut ishte duke sulmuar”, – na tha Sheme Toçi. Në mes të atij grumbull njerëzish shquhen të moshuar, të rinj dhe fëmijë që kishin ardhur aty nga të gjithë anët e Shqipërisë, si për të imituar edhe njëherë kuvendin e mbajtur 85 vite më parë. Aty kishte njerëz të ardhur nga Kuçi, Bolena, Kallarati, Vërniku, Fterra, Çorraj, Picari, Golemi, Kaparjela, Kolonja, Medara, Nivica, Rexhini, Gusmari, Progonati dhe Lekdushi; aty ishte mbledhur gjithë Labëria, me traditat, gjuhën dhe zakonet e saj.
E lëmë pas krahëve zhurmën dhe këngën e lebërve dhe futemi në një lokal të fshatit. Kudo shihje objekte dhe veshje të Labërisë; guna, çibukë, fyej, kësula dhe një sërë objektesh të tjera, emrat e të cilave asnjëri nga ne nuk i dinte. Një oxhak i ndezur të fton që, me një gotë rakie, të ulesh pranë tij dhe të nisësh udhëtimet në kohë. Pas kafes së shpejtë në lokal, dalim sërish në shesh, pasi festa kish filluar. Kudo këngë, gëzim, festë. Njerëzit këndonin grupe-grupe, pa u shqetësuar dhe pa u ndrojtur aspak. Diku mes turmës sytë na ndeshin deputetin Fatmir Toçi, i cili nuk ishte aty si deputet, por si një bir i kësaj zone. Ai kishte organizuar gjithë këtë festë labe, në përkujtim të atij kuvendi që, edhe pse shumë i rëndësishëm, u fshih nga historia.
Një i moshuar, i mbështetur te busti i Zenel Gjolekës, fliste me një bashkëmoshatarin e tij. Afrohemi drejt tyre dhe dëgjojmë një frazë, të cilën e kishim dëgjuar edhe më parë: “Nga Vlora, Fan Noli u dërgoi një letër delegatëve të këtij kongresi ku, ndër të tjera u thoshte: Kur Shqipëria lëngon, është Labëria ajo që e nxjerr nga mundimi”, – tha i moshuari dhe i hodhi njëherë sytë edhe nga ne, duke kërkuar miratimin tonë.

Më pas, me radhë në podiumin e improvizuar u ngjitën figura të shquara të zonës dhe historianë, të cilët ishin marrë me studimin e këtij kuvendi. Por në sy na ra një vajzë e veshur me të kuq dhe me flokë të drejta, emri i saj ishte Labëri Luzha, dhe vinte nga Kosova. Më të moshuarit nuk i mbajtën lotët, kur Fatmir Toçi thirrin emrin e saj për të folur. Të gjithë kërkonin foto me Labërinë, për të pasur një kujtim me simbolin e gjallë të krahinës së tyre. Me sa mësuam më vonë, Labëria vinte nga një familje e shquar në Kosovë, pasi i ati ishte deputet i Kuvendit të Kosovës. Pasi u lirua nga blicet e aparateve dhe nga përqafimet e njerëzve, arrimë ta marrim mënjanë Labërinë. Ajo nis të tregojë se emrin ia ka vënë i ati, kur ndodhej i burgosur. “Babai i kishte nisur një letër nënës, duke i kërkuar që emrin e fëmijës që do të lindte t’ia vinin Labëri. Por ky nuk është i vetmi emër shqiptar në familjen tonë. Babai im e ka ermin Berat, ndërsa emra të tjerë në familje janë Ilir, Shqipe, Vlora, Tomor, Drin dhe Shkumbin. Me pak fjalë, një Shqipëri e vogël e mbledhur në familjen Luzha”, -qesh Labëria dhe largohet nga ne, pasi të gjithë ishin në kërkim të saj.
Largohemi nga Labëria e Kosovës dhe endemi midis turmës së lebërve. Në çdo cep dëgjoje biseda, lidhur me kuvendin dhe me rëndësinë e tij; nuk mungonin as mëritë për mospasqyrimin e tij në histori.

Nga sa mësuam mes turmës, ndikimet e kësaj mbledhjeje kishin qenë të menjëhershëm dhe zbatimet e rregullave të tij ishin më të forta se Kanuni i Labërisë. Pas viti 1924, në zonat e Labërisë nuk kishte më vrasje për gjakmarrje, pasi ky fenomen u eliminua tërësisht, por nuk ndodhi e njëjta gjë me Veriun e vendit. Pas këtij kuvendi, ishte planifikuar mbajta e një tjetër kuvendi, në vitin 1925, në Orosh, por ai nuk u zhvillua kurrë, pas ndërhyrjes së forcave zogiste.
Një ndër personat që është marrë më shumë më Kuvendin e Labërisë është Hasani Luçi; pas disa çastesh bisedim me të, ai nis të na tregojë detaje të pazbuluara më parë, lidhur me këtë kuvend. “Në të morën pjesë 312 delegatë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, të cilët u përzgjodhën sipas zakonit.

Në këtë kuvend u krijuan 40 komisione, të cilët u ngarkuan drejtpërsëdrejti me mbarëvajtjen dhe zbatimin e vendimeve të kongresit. Nga 28 nëntori deri më 4 dhjetor, të gjithë delegatët qëndruan në Kuç, derisa u njoftuan se forcat e Zogut ishin duke marshuar për të sulmuar. Pas këtij lajmi, kuçiotët dhe të tjerë marshuan nga Vlora drejt Durrësit, për të luftuar më zogistët”, – na tregon profesor Luçi. Mes bisedës, ai na tregon edhe lidhur me vendimet e rëndësishme të këtij kuvendi, të cilat, nëse do të ishin shtrirë edhe në Veri, do ta kishin zhdukur gjakmarrjen edhe nga këto zona.
Me kokën ende të trullosur nga rakia e Shemes, drejtohemi për në lokalin ku ishte shtruar dreka festive. Mish qengji, djathë, gjizë dhe raki: kjo ishte menyja. Nga të katër anët dëgjoje veç këngë labe dhe njerëz që mbanin iso, trokisnin gotat e qeshnin me njëri-tjetrin. Edhe pse kuvendi i tyre ishte harruar apo ishte lënë qëllimisht jashtë historisë, lebërit ndiheshin krenarë për të. Ata ishin aty, ku 85 vite më parë, të parët e tyre u mblodhën bashkë dhe morën vendime të rëndësishme për vendin. Askush nuk ka ndrojtje të thotë më zë të lartë “Unë jam lab” dhe jam pasardhës i Sali Hallkokondit, Halim Xhelos apo Zenel Gjolekës. Për ta historia është veç një libër që shkruhet dhe rishkruhet sipas interesave të qeverive, por në zemrat dhe mendjet e tyre Kongresi i Labërisë është gjithnjë aty: askush nuk e prek atë, askush nuk e mohon atë. Ai mbrohet me fanatizëm nga lebërit, ashtu si edhe traditat apo këngët e tyre.
Hedhim sytë për të fundit herë nga Kuç dhe shohim që busti i Zenel Gjolekës është sërish aty, me po atë pamje drejt maleve; rrugët e Kuçit u zbrazën sërish nga njerëzit, por pllakata e kuvendit është sërish aty, më e gjallë se kurrë. Shtëpia e Shemes është ende mbi fshat dhe kazani i rakisë lëshon sërish pika, si për të kujtuar se Kuçi do të vazhdojë të jetë ende këtu, mes maleve, duke ruajtur me fanatizëm historinë e tij. Ai do të presë sërish njerëz, do t’i gostitë ata, do t’u tregojë historinë e tij të mohuar për vite me radhë. Kuçi do të zgjohet sërish nga këmborët e dhenve dhe do të bjerë të flejë nën ritmin e pikave të rakisë.

Rezultate imazhesh për foto fhsti kucRezultate imazhesh për foto fhsti kuc

Loading...