Negociatat me BE-në do të çelen brenda këtij viti

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një interviste për Deutsche Welle ka theksuar se negociatat e Shqipërisë me BE-në do do të çelen brenda këtij viti

“Jemi të gatshëm për dialog me PD-në, por kushtet e PD-së nuk mund të merren as në konsideratë nga ana jonë”, – theksoi Balla në intervistë, pas vizitës zyrtare në Berlin ku zhvilloi takime me deputetë të Bundestagut dhe zyrtarë të lartë të qeverisë gjermane.

“Kjo ka qenë një vizitë e programuar që në momentin kur u parashikua që raporti i Komisionit Europian do të dalë, menjëherë pas zgjedhjeve europiane.

Dhe siç e dini Bundestagu gjerman fillon procedurën e shqyrtimit të këtij raporti dhe vlerësimit që vjen edhe nga qeveria. Po të keni parasysh si Gjermania ashtu edhe Holanda, përfshihen në procedurën e domosdoshme të konsultimit të qeverisë me parlamentin përpara se të shkohet në Këshillin Europian”, – tha Balla.

“Kemi një komunikim të mirë dhe të vazhdueshëm me grupe të ndryshme parlamentare në Bundestag. Komunikimi gjatë kësaj vizite nuk përfshin vetëm 2 grupet e mëdha politike në koalicionin qeveritar gjerman.

Së pari, me grupin CDU/CSU, me një numër të madh deputetësh të këtij grupi, qofshin këta anëtarë të Komunitetit të Çështjeve Europiane apo edhe deputetë të tjerë, po kështu edhe me deputetë dhe raportues për Shqipërinë në grupin e socialdemokratëve. Por gjatë kësaj vizite synimi është që të komunikohet edhe me grupe të tjera politike, përfshirë këtu të gjelbrit, EVDIPI-në apo liberalët apo edhe grupe të tjera politikë që në fund të fundit duhen kontaktuar, duhet komunikuar me ta për një raport përfundimtar. Unë jam shumë shpresëplotë që pozicioni zyrtar edhe i Bundestagut do të jetë i njëjtë me atë të qeverisë gjermane. Kujtoj këtu që qeveria gjermane përmes ministrit për Europën, z. Roth e ka shumë të qartë vlerësimin për të ecur në hapi tjetër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë”, – tha Balla.

“Unë kur i referohem qeverisë gjermane, në radhë të parë i referohem znj. Merkel, Kancelares e cila mbetet një luftëtare e paepur për sa i përket mbajtjes gjallë të procesit të zgjerimit të BE. Unë besoj që ka një shumicë të cilësuar brenda Bundestagut gjerman që do të mbështesë fillimin e bisedimeve për anëtarësimin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, paçka se ky është në proces që përfshin edhe Francën e Holandën”, – shtoi Balla.

“Nëse i krahasojmë të dy raportet, padyshim që edhe raporti i vitit 2018 sugjeroi rekomandimin e fillimit të bisedimeve, por bëjmë një analizë krahasuese midis dy raporteve, ky ka qenë një prej diskutimeve që kemi diskutuar sot me kolegët gjermanë”, theksoi Balla.

“Është pikërisht Reforma në Drejtësi e cila ka dhënë rezultate konkrete, po ashtu edhe çështja që lidhet me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, raporti i KE vlerëson qartë rezultatet e arritura deri më tani. Ka pasur një çështje që lidhet me adresimin nga ana e Shqipërisë të reformës zgjedhore dhe dua të rikujtoj që Ambasada gjermane në Tiranë e cila gjej rastin ta falënderoj së bashku me dy fondacionet “Konrad-Adenauer” dhe “Friedrich Ebert” kanë bërë një punë të shkëlqyer për reformën, për të arritur në një draft paraprak dhe ky ka qenë parakushti i vendosur para një viti që mazhoranca qeverisëse të ketë një draft për reformën dhe ky draft është dorëzuar që në dhjetor.

Rikujtoj që me deputetët e rinj të opozitës ka filluar puna në komisionin e reformës zgjedhore dhe unë besoj që Dita jonë e Pavarësisë, 28 Nëntori i këtij viti, do ta gjejë Shqipërinë me një Reformë Zgjedhore gjithëpërfshirëse ku kemi rënë dakord me deputetët e rinj të opozitës për të diskutuar edhe mundësitë e rishikimit të sistemit zgjedhor”, – tha Balla.

Gjatë intervistës së tij, Balla i pyetur për krizën politike në vend, ka theksuar se asnjë zyrtar gjerman nuk e ka mirëkuptuar veprimin e PD për largimin nga Kuvendi. “Nuk kam gjetur një deputet të vetëm të çdo grupimi politik gjatë diskutimeve që vijojnë me deputetë të ndryshëm gjermanë, që të mirëkuptoj vendimin vetasgjësues të PD për t’u larguar nga parlamenti”, – tha Balla.

Duke folur për akuzat që PD ka ngritur ndaj mazhorancës, Balla tha se opozita duhet t’i drejtohet prokurorisë. “Këto janë çështje që adresohen në prokurori. Kur unë kam qenë në opozitë, për çdo rast të dyshimeve për korrupsion i jam drejtuar prokurorisë. Në Shqipëri, thotë në raport Komisioni Europian, po implementohet një prej reformave më të forta në Drejtësi që do të garantojë një sistem drejtësie të pavarur”, – theksoi ai.

“Thelbi i Reformës në Drejtësi ishte heqja e çdo mundësie që politike të ndikojë mbi drejtësinë. Unë ju shpreh bindjen dhe që e bashkëndava edhe me shumë kolegë gjermanë se nëse ne s’do kishim bërë Reformën në Drejtësi, padyshim që ne s’do ishim gati të hapnim negociatat për në BE.

Por për shkak të kësaj reforme, siç tha dhe Komisioneri Hahn, ne jemi në këtë fazë bashkë me Maqedoninë, kjo e fundit padyshim që ka një hap historik për marrëveshjen e Prespës, por biem gjithë dakord, që për sa i përket kapitujve për marrëveshjen e anëtarësimit, Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm.

Dhe siç dihet kapitujt 23 dhe 24 janë kapituj që hapen të parët dhe mbyllen të fundit”, – tha Balla më tej.

Ai u shpreh i hapur për dialog me opozitën, por sipas Ballës, kërkesat e opozitës nuk mund të merren në konsideratë nga mazhoranca. “Ne jemi të hapur për dialog. Jemi të maturuar tashmë pa qenë nevoja e miqve të huaj për të ardhur e për të na ulur tavolinë.

Jo më kot Kryeministri Edi Rama, në 7 letra publike të njëpasnjëshme, 6 të drejtuara kryetarit të PD, Lulzim Basha dhe një drejtuar qytetarëve demokrat të thjeshtë të vendit për t’iu shpjeguar arsyen dhe domosdoshmërinë që ne, në këtë fazë të procesit për realizimin e aspiratës historike të vendit tonë tonë për të çelur negociatat me BE, duhet të jemi bashkë, por kjo s’ka qenë e mundur pasi lidershipi i PD vijon qasjen e tij kundër Reformës në Drejtësi, kundër zhvillimit normal të demokracisë në vend, duke artikuluar kërkesa që në asnjë rast s’mund të merren në konsideratë nga ana jonë”, – përfundoi Balla./atsh

https://www.facebook.com/b.taulant/videos/309581006662297/?t=0

Loading...