Dëshmia e nënën së 16-vjeçares që humbi jetën në Spitalin e Sarandës në rrethana ende misterioze do të dëshmojë në Gjykatën e Sarandës për atë që i ka ndodhur vajzës së saj, Kostandina Anagnosti. Pritet me kërshëri dëshmia e saj, pasi dyshohet se ajo po fsheh pas ngjarjes ish te dashurin e saj. Nëna e të miturës, Antigoni Anagnosti është vënë në ndjekje penale dhe në gjyq do të duhet të tregojë se cili është personi që ka lënë shtatzënë vajzën e saj të mitur. Kjo shtatzëni u bë shkak që vajza të shkonte në një klinikë private në Sarandë për të kryer abort, ku pas një komplikacioni u dërgua pa shenja jete në
Gazeta greke “Ekspreso” i ka kushtuar një investigim rastit tragjik të 16-vjeçares Kostandina Anagnosti, e cila humbi jetën në nëntor të 2014 në Sarandë. Ende nuk ka përfunduar çështja gjyqësore, ndërkohë që, përveç shoferit të taksisë Spiro Papa, i cili ndodhet në paraburgim që prej qershorit të këtij viti, nëna e vajzës akuzohet se po fsheh të vërtetën dhe po merr në mbrojtje të akuzuarin, me të cilin dyshohet se kishte një raport dashurie.
GJYQI/ Sipas gazetës “Ekspreso”, gjithçka erdhi pasi vajza me banim në Greqi ishte kthyer në Shqipëri (sipas pretendimit të së ëmës, te dentisti). Sipas gazetës, nëna e vajzës akuzohet se po mbulon shoferin e taksisë, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim. Spiro Papa transportoi vajzën e mitur në spital dhe akuzohet se është i vetmi që ka dijeni për të gjitha rrethanat e ngjarjes. Seanca gjyqësore ndaj nënës së adoleshentes është vendosur më 15 shkurt 2019 në Gjykatën e Shkallës së Parë në Janinë, ku Antigoni Anagnosti do të thirret të japë shpjegime rreth gjithçkaje që ka të bëjë me vdekjen tragjike të vajzës saj, si dhe për lidhjen e saj me taksistin, i cili transportoi vajzën e re në Shqipëri.
Njëkohësisht për të njëjtën çështje fillon në datën 1 shkurt 2019, në Gjykatën e Krimeve të Prevezës, gjyqi për taksistin, i cili nga Prokuroria e Janinës akuzohet për vrasje nga mosveprimi. Ndërmjet dëshmitarëve që kanë deklaruar atëherë në favor të taksistit ishte edhe nëna dhe motra e madhe e 16-vjeçares, Kostandina. Taksisti në dëshminë që ka dhënë në Prokurorinë e Sarandës, në datën 23 shkurt 2015, ka deklaruar rreth lidhjes shoqërore që kishte me nënën e së miturës.
EKSPERTIZA/Akti fillestar mjekoligjor në trupin e Kostandinës në Shqipëri nxori përfundimin se shkaku i vdekjes ka qenë për arsye patologjike. Gjithsesi, babai i vajzës, Jorgo Anagnosti, nuk ishte bindur dhe filloi një rrugë të gjatë për të ndriçuar pikat e errëta të shkaqeve të vdekjes bashkë me avokaten e tij. Kostandina Anagnosti u dërgua e vdekur në urgjencën e Spitalit të Sarandës nga shoferi i taksisë, i cili u shpreh se vajza humbi ndjenjat pas një kërcitje të nofullës. “E solli në spital pa shenja jete. U ndoqën veprimet e ndihmës së shpejtë të zemrës dhe rrugëve të frymëmarrjes me elektroshok, frymëmarrje teknike, masazh të zemrës. Iu injektua adrenalinë, atropinë dhe lidokainë nëpërmjet venave të gjakut, por pa rimëkëmbur punimin e organeve jetësore. U mbajt rreth dy orë në urgjencë dhe pastaj u dërgua në morg”, dëshmon kartela mjekësore.
Trupit iu bë riekspertizë (u ribë autopsia) me përfundimin se shkaqet klinike vërtetojnë që “ishte pa shenja jete të organeve, pa tension, pa frymëmarrje, me zmadhim të koreve të syrit, nxirje rreth buzëve, rreth qafës (laringut), lëkura me ngjyrë të zbehtë dhe ngjyrën e të vdekurit. Erdhi e vdekur, ndaj dhe nuk u përdor dhe terapi tjetër”. E vërteta u zbulua pas shumë kërkesave të babait dhe avokates së tij, ku u kërkua autopsi mjekoligjore e re në Janinë. Nga kjo rezultoi se organet jetësore të vajzës u hoqën pa teknikë, pasi mungonte gjysma e gjuhës, laringu, shtrati i gjuhës, mitra, qafa e mitrës dhe truri… kurse në gjak dhe urinë të saj u gjetën përqindje të larta lidokaine”.
Pas zhvillimeve të fundit, Jorgo Anagnosti, babai i vajzës, i cili që në fillim pretendoi se fëmija vdiq pas një aborti të kryer në Shqipëri, shprehet se, kur të vijë koha në gjyq do të dalë e vërteta: “Unë e di që njeriu me të cilin u largua Kostandina e ka lënë atë shtatzënë!”
“Vajza u dërgua për abort nga i dashuri i ish-bashkëshortes”/Jorgo Anagnosti, babai i 16-vjeçares, nisur nga zbulimi i dëmtimeve në pjesën e mitrës dhe një në afërsi të bërrylit, që nuk ishin shënuar nga spitali, ngriti dyshime se gjithçka kishte ndodhur gjatë një aborti që shkoi keq. Duke iu referuar dëshmisë së dhënë nga taksisti në Prokurorinë e Sarandës, Anagnosti thekson se ai ka tentuar ta fshehë të vërtetën. Gjithashtu në automjetin e taksistit Spiro Papa janë gjetur një palë pranga si dhe një sasi materiali bimor, një medikament si dhe sende të tjera që ngjallin dyshime.
Ai tregonte asokohe se vetë ish-bashkëshortja ka pranuar gjatë deklarimit të saj se kishte histori dashurie me taksistin prej 4 vitesh. Ndërkohë, sipas babait, gjithçka ka ardhur pasi vajza është dërguar në ndonjë klinikë në Sarandë për të kryer abort dhe pasi ka humbur ndjenjat, është dërguar në spital. “Mjeku ligjor ka konstatuar në gropën e bërrylit të vajzës, një vigon plastik me ngjyrë jeshile, i cili është rezultat i ndërhyrjeve mjekësore për realizimin e terapisë intravenoze, por nuk është vigoni i vendosur në Spitalin e Sarandës, pasi aty është vendosur në dorë, mbi gishtërinj. Kam pyetur mjekun ligjor se përse e ka marrë mitrën e vajzës dhe ai më tha se kishte vënë re diçka të dyshimtë. Ai dyshonte se është ndërhyrë në mitër dhe se atje ndoshta mungon fryti, pra, fëmija”, është shprehur babai i së miturës.