Dhimbja është ende e madhe në shtëpinë e dëshmores së Atdheut, nëntetares Zarife Hasanaj.
Prindërit e kanë të vështirë të gjejnë fjalët e duhura pikërisht në ditën kur një vit më parë vajza e tyre humbi jetën tragjikisht në Letoninë e largët.
“Nuk mund ta përshkruaj as me fjale, as me zemër as me shpirt”, thotë nëna e nëntetares. Fëmija i katërt i familjes Hasanaj, e kishte pasion uniformën ushtarake.
Ajo ishte në misionin e saj të parë jashtë vendit. 32 vjeçarja mezi ua kishte mbushur mendjen prindërve të shkonte.
“Ne ruajmë shumë kujtime, se kjo ka qene shume e lidhur, me u vesh me ushtrinë. Ajo na thoshte mos ma prishi, këtë ëndërr dua ta realizoj”, tha nëna.
E ëma, Riva, kujton telefonatën e fundit me te bijën ndërsa e ka ende një peng në zemër. “Më tha; “Mami mos u bej merak. Po shkoj në pune flasim me vonë. Kur shkoj tek varrezat shikoj e shikoj si hije e përqafoj.
Meraku më i madh kur erdhi me arkivol nuk e përqafova vetëm buzën kam vënë pak ne ballë, se thonin; “mos e prishni”.”, tha nëna e saj. Kur të kthehej nga misioni 32-vjecarja do te vishej nuse. “Kur të kthehej do ndërronin nishaniet, pasi kishte rënë në dashuri me një djalë nga Tepelena”, tha nëna per News 24.
Në nëntor të 2019 prindërit e nëntetares u ftuan në bazën Adazi ne Rige ku pranë vendit të ngjarjes panë të shënjuar përjete emrat e Zarifes dhe majorit Klodian Tanushi.
E ëma e saj kërkon që t’ jepet një përgjigje se çfarë ndodhi vërtetë një vit më parë. Presin me padurim përfundimet qe do te dalin nga hetimi por edhe celularin e vajzës.
“Ishte pritje madhështore. Donim të dinim se çfare tha në fund, se kush e kapi. Kaq! Pse m’u zvarriten kaq fort gjerat personale të vajzës”, pohoi ajo.
Zarifesë i duheshin vetëm pak dite për e përmbyllur misionin dhe të kthehej në atdhe por një municion luftarak plasës i mori asaj jetën tragjikisht në Letoninë e largët.