Nënë e bir pinë ujin dhe u ndjenë keq, kamarieri nuk u besoi dhe u helmua vetë

Tre persona janë helmuar në Shkodër pasi kanë pirë ujë në një lokal. Një 41-vjeçare me iniciale A.Z dhe djali i saj 14-vjeçar me iniciale A.Z, banues në Malësi të Madhe janë helmuar bashkë me kamarierin e lokalit të hotelit ku ishin.

Helmimi i personave në fjalë thuhet se ka ardhur nga shishja e ujit të kompanisë që lokali tregtonte. Në fillim kanë qenë nënë e bir ata që kanë konsumuar ujin dhe kanë vënë re se nuk ishte i mirë. Kamarieri për t’iu vërtetuar të kundërtën ka marrë dhe ka pirë edhe vetë nga ky ujë dhe kjo shishe.

Por papritur ata kanë nisur të ndihen keq dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Për shkak të gjendjes së rënduar, 41-vjeçarja dhe djali i saj i mitur janë nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar. Përfaqësuesja e hotelit ku ka ndodhur helmimi ka deklaruar për mediat:

“Kamarieri që hapi shishen pranë klientëve nuk e ka besuar pasi ky ujë serviret nga lokali ynë prej vitesh dhe nuk ka pasur asnjë lloj problemi. Kamarieri ka konsumuar ujin që pinë klientët dhe më pas edhe ai shfaqi shenja helmimi. Ne kemi njoftuar organet kompetente për zbardhjen e ngjarjes dhe kemi dorëzuar edhe të gjitha kamerat. Jemi të hapur ndaj të gjithë organeve ligjzbatuese për çdo kërkesë. Theksojmë për të gjithë klientët se nga ana e stafit tonë nuk ka patur asnjë lloj neglizhimi”.

Për zbardhjen e kësaj çështje dhe helmimin e tre personave të lartpërmendur, hetuesit kanë sekuestruar shishen e ujit që dyshohet se ka shkaktuar helmimin.

Loading...