Shembja e banesave në zonën e 5 Majit në kuadër të projektit të rindërtimit u shoqërua me përplasje mes policisë dhe banorëve. Dje ishte afati i fundit i vendour nga Bashkia e Tiranës për lirimin e banesave, por disa prej banorëve kundërshtuan.
Mes tyre ishte dhe Liza Marku, e moshuara që u përplas me policinë ka folur në “Shqipëria Live” për ngjarjen duke thënë se njërin prej fëmijëve ia shoqëruan në furgon.
Edhe ajo refuzoi të dilte nga shtëpia, por IKMT vijoi aksionin dhe për pasojë thotë se i janë dëmtuar shumë mobilje, ndërsa i kanë humbur ilaçet e zemrës dhe portofoli me para.
Sipas Lizës, do të vijojnë protestat dhe mbrëmjen e ka kaluar jashtë për të ruajtur ato mobilje që i kanë nxjerrë.
Liza Marku: Polici më tha do marrësh leshtë. Nuk kisha shkuar për të marrë leshtë. I thashë kam bërë kërkesë për anulimin, thanë do na kthejnë përgjigje me 13 shkurt. Këta erdhën me 19 janar, nuk pritën fare. Fëmijët i kisha aty, njërin e kishin shoqëruar tek furgoni i policisë. Pasi më tërhoqën zvarrë, më thanë që e kam djalin në furgon. Më kapën 3 veta sikur kisha armatim me vete. Nuk kishim kundërshtim për zhvillimin e zonës, thjesht donim që të na çonin në pallat, por jo në banesa sociale. Mbrëmë kam qëmndruar jashtë se kisha dhe rroba, nuk kisha ku të flej. Po të mi vidhnin dhe ato, ku të shkoja unë. Shtëpinë e kam në proces legalizimi, shtëpinë e dua metër për metër e cm për cm. Shkresa ishte mos ti prishnin para 13 shkurtit. E dua aty në atë lagje. Marr ilaçe për zemër dhe nuk di se ku i kam. Duhet të jenë nën rrënoja. As portofolin me lekë, asgjë se kam marrë. Në katin e tretë kam lënë shumë, në katin e parë kanë dalë po janë për kosh se janë bërë copë copë.
Pyetje: Sa kohë kishit që e kishit marrë njoftimin?
Liza Marku: 4-5 ditë para. Na kanë njoftuar dhe njëherë rreth 3 muaj më parë. Do vazhdoj të dal në protestë. Kur morëm letrën e parë, na thanë të dhurojmë shtëpinë. Nuk do ia fal asnjë cm. Shtëpinë kemi 25 vjet që e kemi ndërtuar. Tokën e kemi blerë me lekë. Nuk jemi as çoban, as buburreca, nuk kemi qenë as në kësollë. I patëm bërë legalizimet, i bllokuan. Dritat e ujit na i merrnin, i paguanim taksat. Ne do të qëndrojmë jashtë tek shtëpia.
Kujtojmë se nga projekti për lagjen e re te 5 Maji preken banorët e njësisë administrative nr.4 dhe nr.8 të cilët do të marrin kompensim të plotë, duke shkëmbyer banesën e tyre me një shtëpi në godinat e reja që do të ndërtohen për të pastrehët nga tërmeti.
Deri në momentin që do të futen në shtëpinë e re këta banorë do të marrin bonusin e qirasë nga Bashkia e Tiranës.