E themeluar fillimisht në korrik 1908 me një staf prej vetëm 34 vetësh, Byroja Federale e Hetimeve është rritur duke përfshirë më shumë se 450 zyra dhe agjenci në Shtetet e Bashkuara, si dhe 75 zyra dhe nën-zyra në mbarë botën. Ja 9 fakte prapa agjencisë së brendshme të inteligjencës amerikane.
Falë J. Edgar Hoover, drejtorët e FBI-së janë tani të kufizuar
Hoover mori punën e tij të parë në Departamentin e Drejtësisë në vitin 1917, kur ishte vetëm 22 vjç dhe nga viti 1924 ishte bërë kreu i paraardhëses së FBI-së, Byrosë së Hetimeve. Kur Hoover vdiq në moshën 77 vjeç, ai kishte kaluar 48 vjet – 62 për qind të jetës së tij – në krye të shërbimit të fuqishëm. Drejtorët e FBI tani janë të kufizuar në mandate 10-vjeçare.
Njerëzit hiqen nga lista e më të kërkuarve nëse kapen, vdesin ose nëse akuzat kundër tyre bien Fushata e ekspozimit të “10 më të kërkuarve” të FBI nisi në vitin 1950, kur një gazetar i kërkoi agjencisë emrat dhe përshkrimet e “djemve më të këqinj” në inventarin e shënjestrave të saj. Artikulli që rezultoi mori aq shumë vëmendje, saqë Hoover vendosi të bënte gjithmonë nxjerrjen e një liste zyrtare. Që nga fillimi i programit, 465 nga 494 kriminelë që kanë arritur në dhjetëshe, janë kapur ose gjetur vendndodhja.
Byroja Federale e Hetimeve nuk është njohur gjithmonë me atë emër
Kur Prokurori i Përgjithshëm Charles Bonaparte rejrutoi për herë të parë ish-detektivë dhe anëtarë të Shërbimit Sekret për një trupë të re hetuesish federalë në vitin 1908, ai e cilësoi atë si një “forcë agjentësh specialë”. Pasardhësi i Bonaparte, Xhorxh Uickersham e quajti Byronë e Hetimeve një vit më vonë. Në pranverën e vitit 1933, Byroja e Hetimeve u përfshi në Divizionin e Hetimeve të sapo formuar, i cili përfshinte edhe njësinë që zbatoi Prohibicionizmin. Pasi alkooli u bë i lejuar me ligj përsëri, Byroja e Hetimit u bë automatikisht Divizion i Hetimit. Byroja e mori emrin që ka sot në vitin 1935.
Për Hooverin, gratë nuk lejoheshin
Në vitet 1920, tre gra – Alaska Davidson, Jessie Duckstein dhe Lenore Houston – shërbyen si agjente të FBI-së. Asnjëra nuk u punësua gjatë mandatit të J. Edgar Hooverit, i cili thuhet se kërkoi që të gjithë punonjëset femra të vishnin funde apo fustane dhe i ndaloi të pinin duhan në tryezat e punës. (Një gjë që njerëzve u pëlqente në atë kohë). Menjëherë pas vdekjes së Hooverit në vitin 1972, Akademia e FBI pranoi dy agjente femra në trajnim: Susan Lynn Roley, një togere e Trupave Detare dhe Joanne Pierce, një ish-murgeshë.
FBI ka kaluar një herë dy vite, duke hetuar një këngë
Gjatë viteve 1960, analistët në laboratorin më të fundit të FBI-së kaluan më shumë se dy vjet duke hetuar tekstet e këngës pop të Kingsmen, “Louie Louie”. Ndërsa thashethemet nuk pushonin, se vargjet e ngatërruara përmbanin gjuhë pornografike, prindërit e shqetësuar u shkruajtën autoriteteve qeveritare duke shprehur zemërimin e tyre. FBI u përgjigj duke i nënshtruar versionet e ndryshme të këngës, në teste rigoroze audio dhe duke prodhuar një raport prej 120 faqesh që arriti në përfundimin se ishte “i pakuptueshëm, me çdo shpejtësi”.
Byroja kishte një nga njësitë e para të vjedhjes së artit në botë
Pas viteve të studimit të vjedhjeve të veprave të artit, në vitin 2004 FBI krijoi një ekip të ngarkuar me zgjidhjen e këtij lloji të veçantë të krimit. Anëtarët e saj, të cilët mësojnë aftësi të tilla si identifikimi i veprave false, kanë gjetur më shumë se 2.600 sende të vjedhura me vlerë rreth 150 milionë dollarë, nga objekte para-kolumbiane, deri te pikturat e Rembrandt, Picassos dhe Matisses.
FBI ka gjuhën e vet
Nuk është e habitshme, por FBI ka përdorur historikisht zhargonin e saj, akronime dhe shkurtesa, disa prej të cilave kanë rrjedhur për publikun. Për shembull, “agjentët e tullave” janë hetues që punojnë në rrugë, një “UNSUB” është një subjekt i panjohur, “Bucars” janë automjetet e përdorura nga agjencia dhe “Betty Bureau” i referohet një punonjëseje mbështetëse femër, që ka punuar në FBI përgjatë gjithë karrierës së saj. Ndërkohë, kritikët e Byrosë kanë pseudonimet e tyre për FBI-në; Zyrtarë të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit thuhet se bëjnë shaka se inicialet qëndrojnë për “Famous But Incompetent” (Të famshëm por të paaftë).
FBI një herë ka hetuar perceptimin jashtëshqisor
Në fund të viteve 1950, FBI shqyrtoi nëse perceptimi jashtëshqisor (ESP) mund të përdoret si mjet i spiunazhit, sipas dosjeve të deklasifikuara nga agjencia në prill të vitit 2011. Një agjent shkroi në një memo: “Nuk ka kufi për vlerën që mund t’i shtohet FBI-së, qasje e plotë dhe e padallueshme në postë, qasje pamore në ndërtesa. Mundësitë janë të pakufizuara”. Në vitin 1960 Byroja u dorëzua pasi nuk gjeti mbështetje shkencore për potencialin e saj.
Një nga laboratorët më të mëdhenj të krimit në botë, Laboratori i FBI, filloi si shumë i vogël
Në fakt, në vitin 1932 ishte një operacion me një njeri, i vendosur në një dhomë të vetme që u dyfishua si sallë për pirjen e duhanit. Tekniku i tij i vetëm, Agjenti Special Charles Appel, përdorte një mikroskop të huazuar, një pajisje përgjimi dhe kimikate bazike për të analizuar shkrimet e dorës dhe për të shqyrtuar provat e skenës së krimit. Brenda pak vitesh ekspertë të tjerë u bashkuan me ekipin dhe FBI ndërtoi një strukturë të përparuar për ta. Laboratori i FBI-së aktualisht punëson 500 shkencëtarë dhe ofron shërbime mjekoligjore për agjencitë shtetërore, lokale dhe federale. / Përgatiti: bota.al