“Nëpër flokatë” – Poezi nga Laureta Petoshati

Nëpër flokatë
Poezi nga Laureta Petoshati

Me hakërrimë e larmi vjen vjeshta,
pareshtur si rrëfime dimri
damarët e erës si heshta,
mes pemëve kërkojnë shesh luftimi.

Rrymat ndërthuren, gjethet shthuren,
mbi supet e erës vallëzojnë,
një nga një bien, pemët tkurren,
mbi fletët që prehen ca këmbë kalojnë.

Eci dhe unë nëpër flokatë,
endur nga vjeshta si marramendje,
me gjethet e rëna si shtrëngatë,
tek-tuk cekja e tyre ngjan me prekjen tënde.

Ti i paraprin erës së çdo vjeshte,
ndryshe nga era, dashuria vjen më parë,
ecën mbi shtroja mbretëreshe
ka qiellin e qëndisur lajmëtar.

© Vlorë tetor 2019

Loading...