Nesër, të dielën e fundit të muajit tetor (28 tetor), akrepat e orës do të zhvendosen një orë mbrapa. Koha diellore do të hyjë në fuqi natën ndërmjet të shtunës 27 dhe të dielës 28 tetor.
Ky ndryshim i orës do të ndodhë sot në orën 03:00 të mëngjesit, ku akrepat do të zhvendosen 60 minuta mbrapa dhe ora do të shënojë 02:00. Në natën mes 27 dhe 28, do të flemë një orë më shumë.
Në vende të tjera, ky ndryshim do të ndodhë sipas orëve përkatëse lokale. Për vendet e Bashkimit Europian, ora e gjithë zonës do të ndryshojë në të njëjtin çast.
Ndryshimi i orës më parë në Europë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës dhe kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën, në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike.
Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj europian nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma europiane vendos në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora si tani, shkon një orë pas); që tani respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit. /atsh