Nga Astrit Patozi/ Për ‘krimin’ që mund të kryente aktivisti LAPAJ

Nga Astrit Patozi

Adriatik Lapaj është një aktivist simpatik i asaj që ka mbetur nga shoqëria jonë civile. Me sa e kam ndjekur, ai i bashkohet kauzave të drejta, por mbi të gjitha bën përpjekje serioze për të ndjekur logjikën dhe argumentet, një dukuri kjo jo fort e shpeshtë në debatin tonë publik.

Sot pashë një reagim të tij, ku i shpjegonte disa të tjerëve, se, ndryshe nga sa thuhej, nuk ishte e vërtetë që ai po përgatitej të krijonte një parti politike.

Të shqetësuarit nga Adriatiku, me sa kuptova, i referoheshin kryesisht një emisioni, ku ai kishte qenë i ftuar së bashku me kryeministrin Rama, të cilin unë nuk e kam parë.

Por më bëri përshtypje përgjigja e aktivistit, i cili bënte shumë kujdes t’i qetësonte ata të tjerët, se ai nuk do ta kryente kurrë atë për të cilën ata po e “akuzonin”. A thua se bëhej fjalë për ndonjë turp shumë të madh, për të mos thënë një krim.

Kjo përgjigje e pafajshme deri në naivitet, në fakt, është treguesi i një mendësie mbytëse se politika në këtë vend është monopol i dy partive, pavarësisht se sa keq i qeverisin apo i përfaqësojnë ato shqiptarët. Se njerëzit as që duhet ta mendojnë, e jo më të zgjedhin dikë tjetër përveç Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, edhe sikur të hanë realisht bar, e jo nga ai i metaforës së zonjës Kim. Maksimumi që mund të lejohet, nëse je i djathtë, është që të bëhesh ushtar apo fan i Lulit ose i Berishës, por edhe kjo deri kur të vijnë zgjedhjet politike. Por deri këtu, sepse për të tjerë nuk ka vend.

Është pikërisht kjo arsyeja që e ka detyruar aktivistin Lapaj të reagojë si ta kishte pickuar gjarpri, nga “meraku” i gojëve të liga se ai mund të guxonte të mos e pranonte monopolin e “tokës së xanun” në politikë.

Natyrisht, që ai dhe kushdo tjetër personazh publik i marrin vetë vendimet e tyre se çfarë do të bëjnë me të sotmen dhe me të ardhmen e tyre.

Por, sipas meje, në rast se një ditë do t’u shkojë mendja të merren me politikë, për t’i shërbyer vendit, duhet ta bëjnë këtë pikërisht nën siglën e një force tjetër politike dhe jo brenda kënetës së qelbur të 3 bandave të Fatos Lubonjës.

Sepse po u shfaqën në njërën prej frëngjive të kryetarokratëve të famshëm, nuk kanë nevojë fare të shpjegohen, sepse e kuptojnë të gjithë se edhe ata kanë pranuar t’i shërbejnë si gjithë mercenarët e tjerë këtij sistemi të kapur dhe të kalbur politik.

Loading...