Nga Britania në Shqipëri, çfarë pritet të ndodhë me shqiptarët në janar

Pesëdhjetë shqiptarë të burgosur aktualisht në burgjet e Britanisë së Madhe do të dërgohen në burgjet shqiptare për të vuajtur dënimin, sipas një raportimi të gazetës britanike Daily Mail. Dhjetë të arrestuarit e parë do të dëbohen me fluturim çarter në javët e para të janarit.

Të 50 të burgosurit do të vuajnë dënimin e plotë të dhënë nga gjyqtarët e Mbretërisë së Bashkuar. Të dënuarit shqiptarë përbëjnë pothuajse 10% të shtetasve të huaj në burgjet britanike. Të burgosurit kanë dalë vullnetarë për t’u transferuar nga burgjet britanike në ato shqiptare si pjesë e një marrëveshjeje të re.

Është “hapi i parë” i dy shteteve për të hequr qindra të dënuar shqiptarë të burgosur, duke kursyer miliona paund para të taksapaguesve britanikë. Deri më tani, dëbimet e Home Office në Tiranë përfshinin ose kriminelë që kishin vuajtur tashmë dënimin në MB, ose njerëz që kaluan ilegalisht në Britani pasi kaluan Kanalin Anglez me anije.

Një burim i qeverisë shqiptare tha se bisedimet midis Ministrisë së Drejtësisë së Britanisë dhe ministrit shqiptar Ulsi Manja kishin çuar në një marrëveshje për transferimet e para. “Kemi kapacitete të kufizuara në burgjet tona. Por për të treguar se jemi gati për të përmbushur detyrimet tona ndaj Britanisë së Madhe, ne kemi rënë dakord të pranojmë 50 shqiptarë që kanë shprehur vetë gatishmërinë për t’u kthyer”, shtoi burimi.

Loading...