Numri i jahteve turistike që janë ankoruar në kalatat e portit më të madh të vendit që nga fillimi i vitit 2018 tashmë ka arritur në 367, shifër shumë më e lartë se sa ajo e të gjithë vitit 2017.
Jahtet janë ankoruar kryesisht në kalatat e Terminalit të Mallrave Gjenerale (Terminali Perëndimor).
Nga të dhënat operative të Sektorit të Statistikave, që nga 1 janari më 22 tetor 2018 në kalatat 1, 2, 4 dhe 5 janë ankoruar 367 jahte të përmasave të ndryshme nga 10 metra deri në 130 metra të gjatë.
Ndërsa, sipas të njëjtit burim, mësohet se gjatë gjithë vitit 2017 në portin më të madh të vendit kanë ndaluar 294 jahte gjithsej.
Autoriteti Portual Durrës ka marrë masat për të mbështetur me shërbimet përkatëse personelin e jahteve gjatë qëndrimit në portin e Durrësit. Përveç shërbimeve portuale, turistët dhe drejtuesit e jahteve kanë vizituar qendrat arkeologjike të qytetit tonë./atsh