Nga nesër nis aplikimi për të përfituar pagën 26 mijë lekëshe! Ja kush përfiton

Nga data 1 prill, mbi 60 mijë persona të punësuar në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë do të përfitojnë pagën minimale nga qeveria, 26 mijë lekë, të cilën do ta marrin në llogarinë e tyre bankare.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bën të ditur se nga dita e hënë nisin aplikimet për ndihmën ekonomike.
“Plotësoni me përgjegjësi të dhënat personale të punonjësve dhe llogaritë e tyre bankare. Çdo qytetar do të përfitojë pagën prej 26 mijë lekë çdo muaj në llogarinë e tyre bankare”, apeloi Denaj.
Por si aplikohet për të përfituar këtë pagë?
Përfitues të ndihmës financiare prej 26.000 lekë në muaj, janë:
personat fizikë të vetëpunësuar;
punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar;
të punësuarit në personat fizikë tregtarë;
të punësuarit në personat juridikë;
me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, sipas listëpagesave të deklaruara nga subjektet tatimpagues, të cilët duhet të kryejnë edhe aplikimin për të përfituar ndihmë financiare (shko këtu).
Individët e punësuar, që rezultojnë në më shumë se një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagë minimale.
Subjektet që plotësojnë kushtet e mësipërme, duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet llogarisë së tyre të deklarimit elektronik në e-filing, kërkesën me të dhënat e përfituesve, sipas modelit bashkëngjitur, ku përfshihen:
-Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NUIS
-Të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë të vetëpunësuarit, punonjësit e papaguar të familjes dhe të punësuarit:
-emrin, atësinë, mbiemrin
-numrin personal të identifikimit të përfituesit
-bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare
-IBAN të llogarisë bankare të individit përfitues
Subjektet që do të plotësojnë kërkesën sipas Formularit të miratuar, bashkëngjitur, duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve përfitues, ku numri personal i identifikimit ID dhe IBAN i llogarisë bankare janë të dhëna shumë e rëndësishme.
Pas verifikimit brenda 10 ditëve të muajit pasardhës, të të dhënave të dërguara nga aplikuesit, nga Drejtoritë Rajonale Tatimore ku subjektet janë të regjistruar, lista përmbledhëse me të dhënat e individëve përfitues të ndihmës financiare, paraqitet nga DPT, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, e cila, sipas VKM nr. 254, datë 27.03.2020, kryen pagesat për individët përfitues./ATSH

Loading...