Tre persona përfunduan në prangat e policisë së Fierit të akuzuar për disa vjedhje të kryera gjatë muajit që lamë pas. Operacioni “Trekëndëshi” bëri të mundur arrestimin e shtetasve, Martin Kapllanaj, Geraldo Veiza si dhe një 16-vjeçar, të tre banues në Vlorë. Në pamjet e publikuara nga policia, njëri prej grabitësve arrestohet në gjumë ndërsa në banesë i gjendet edhe lëndë narkotike.
Njoftimi:
Autorë të 3 vjedhjeve dhe të një tentative për vjedhje, të kryera gjatë tetorit, në biznese dhe në një banesë, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Njëri nga autorët, i dënuar më parë për vjedhje me armë dhe me dhunë, në një argjendari në Vlorë, kishte me vete një sasi lënde narkotike kokainë.
Sekuestrohen para dhe sende të vjedhura, një automjet i marrë me qira nga autorët për të shkuar në vendet ku vidhnin, si dhe një sasi lënde narkotike kokainë.
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të thelluara, për zbardhjen e vjedhjeve të kryera më parë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, të Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Trekëndëshi”.
Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit:
-M. K., 20 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje me armë dhe me dhunë, në një argjendari në Vlorë, i cili në momentin e arrestimit kishte me vete, një sasi lënde narkotike kokainë;
-G. V., 19 vjeç, banues në Vlorë;
-një 16-vjeçar, banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin:
-më datë 12.10.2023, kanë vjedhur një shumë parash dhe celularë, në një servis për këto pajisje, në Ballsh;
-më datë 13.10.2023, kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit A. Y., në fshatin Varibob;
-më datë 31.10.2023, kanë vjedhur një shumë parash, në një dyqan në Ballsh;
-më datë 31.10.2023, kanë vjedhur një shumë parash dhe disa kamera sigurie, në një biznes në fshatin Cakran.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjyakatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.