Ngjarja e rëndë,8-vjeçarja e rrëmbyer dhe abuzuar seksualisht – Pronari i dyqanit: Kërkoi çokollata, por nuk mendova …

Lajmi se një 8-vjeçare është rrëmbyer dhe abuzuar seksualisht nga dy të mitur në Arapaj ka hedhur hije të rëndë mbi fshatin kodrinor, rreth 6 km larg qytetit të Durrësit.

Shtëpitë e të miturve ndodhen rreth e qark shkollës. Familjet e tyre janë fqinje dhe fëmijët shokë.

Ngjarja është mbajtur në heshtje nga personat që e kanë ditur atë pas denoncimit që nëna e vajzës ka bërë në polici më 4 korrik, derisa në media rasti u bë publik.

Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të ngjarjes dhe përfshirjes së të miturve në të, autoritetet kanë heshtur, ndërsa ka përpjekje për negocim mes palëve për ta mbyllur sa më qetë çështjen.

‘Është e rëndë sa s’ka ku vete më, me një fëmijë 8 vjeç. Edhe i rritur të jetë nuk bëhet ajo’ – thotë një nga gratë, fqinje me familjen e vajzës së dëmtuar.

Ka qenë një pasdite e fillim korrikut, kur e mitura fillimisht është joshur me pije freskuese e çokollata nga 16-vjeçari, që ka qenë shok klase me njërin nga vëllezërit e saj. Përmes mashtrimit dhe në bashkëpunim me bashkëfshatarin 13-vjeçar, adoleshenti i vendosur aktualisht në masë sigurie ‘arrest në burg me afat’, e ka marrë vajzën dhe e ka lidhur duke kryer sjellje me natyrë seksuale që e kanë dëmtuar të miturën.

Në njoftimin e përciptë të policisë mbi ngjarjen në datën 5 korrik thuhet se 16-vjeçari dyshohet të ketë kryer veprat penale të parashikuara nga nenet 108/a/2 dhe 110/2 të Kodit Penal. Neni 108/a që ka të bëjë me ngacmimin seksual dhe që parashikon dënimin me burgim nga 3-7 vjet kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim e kundër fëmijëve. I njëjti sanksion (3-7 vjet burg) parashikohet edhe për nenin 110/2 ‘Heqje e paligjshme e lirisë’ kur kjo shoqërohet me vuajtje fizike të individit, që në këtë rast është vetëm një vajzë e vogël.

Gjithçka ka nisur në dyqanin e fshatit, përballë shkollës. Pronari i dyqanit e ka të vështirë të flasë për ngjarjen. Ai tregon se policia ka marrë kamerat e sigurisë për të parë lëvizjet e vajzës dhe djemve atë pasdite, ndërsa kanë marrë dhe dëshminë e së shoqes në polici.

‘Ngjarje e rëndë, po sa e vërtetë është nuk e dimë. Asgjë nuk është thënë deri tani. Edhe kur i kanë sjellë nuk thanë gjë. Unë kamerat i hap vetëm kur dyshoj tek ndokush (për vjedhje). Vajza ndërkohë vijon normalisht dhe sot ishte në dyqan’ thotë shitësi i lagjes.

Pas publikimit të ngjarjes, në shkollë është kërkuar një mbledhje urgjente. Drejtoresha e shkollës mohon që ngjarja të ketë ndodhur në ambientet e shkollës. ‘Ajo ngjarje ka ndodhur jashtë ambienteve të shkollës dhe në orët e vona të ditës. Nuk është e vërtetë që këtu ka qenë personeli i shkollës dhe nuk ka bërë asgjë. Ka qenë ditë pushimi, në orët e vona dhe jashtë territorit të shkollës’ – thotë ajo.

‘Nga 1 korriku e këtej mësuesit kanë marrë lejen. Ne si drejtori shkolle e kemi marrë vesh shumë më vonë. Nxënësi që është arrestuar e ka mbaruar shkollën tek ne 2 vjet më parë, ndërsa tjetri është nxënës i kësaj shkolle. Ngjarja ka ndodhur në datat 1 ose 2 korrik pasdite. Është një ngjarje që na ka shokuar të gjithëve’ thotë drejtoresha e shkollës.

Të gjithë ndjehen nën presion, ndaj nëndrejtoresha e shkollës kërkon bashkëpunim në trajtimin e kësaj ngjarjeje me ndjeshmëri të lartë. ‘Kërkojmë bashkëpunim nga gazetarët sepse është një proces kaq kompleks saqë nuk mund të zgjidhet vetëm nga ne.

Kam kërkuar nga prindi informacion për ngjarjen dhe më është shprehur se kur të shprehet gjykata e autoritetet do të më vinte në dijeni. Unë nuk i kam gjetur në shtëpi më pas kur kam shkuar pasi familja e vajzës është e ardhur nga një rreth verilindor dhe jetojnë me qera këtu’ – thotë nëndrejtoresha e shkollës.

Ajo shton se ‘prindi nuk është ankuar tek ne në asnjë moment. Ka bashkëpunuar vetë me policinë dhe kanë vendosur që ta mbyllin si çështje meqënëse vajza nuk është prekur dhe nga ajo që dimë ekspertiza e ka dhënë verdiktin për këtë dhe vajza nuk është prekur’.

Në lidhje me gjendjen psikologjike të vajzës mësuesja thotë: Vajza ka qenë shumë mirë. E kam parë vetë. Ka qenë në shoqërinë e prindit e të të gjithëve. Vogëlushja, që në shtator do të fillojë klasën e 2-të, mësohet se para pak kohësh ka kaluar dhe një situatë aspak të lehtë shëndetësore. /Top Channel

Loading...