Biznesmeni Nazmi Grabovci, është gjetur i vdekur në një automjet në lagjen “Emshir” të Prishtinës. Burime të Gazetës Express të afërta me viktimën, thonë se personi që u gjet i vdekur sot në një parking nëntokësor në lagjen “Emshir” të Prishtinës është 50-vjeçari N. Grabovci, djali i vëllait të politikanit Adem Grabovci.
Viktima është gjetur pa shenja jete në një parking nëntokësorë. Vendin ku dyshohet se u gjet viktima policia e ka rrethuar me shirita.
“Mbështetur në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe po vijon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit”, ka konfirmuar policia.
Sipas zëdhënësit të policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, në këtë rast ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, mirëpo policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen.
“Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë, në një veturë në lagjen “Emshir” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, rreth 50 vjeç.
Mbështetur në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe po vijon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, tha Borovci.