Forcat e Armatosura, të mbështetura nga bashkia Fier po forcojnë argjinaturën e lumit Vjosa, duke rehabilituar në pak javë 3,5 kilometrat e parë të kësaj argjinature.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka duke inspektuar punën që po bëhet theksoi se, projekte të tilla jo vetëm reduktojnë fatura e mëdha në raste emergjencash, por në të njëjtën kohë vendosin një standard të ri në parandalimin e pasojave që mund të sjellë moti i keq.
Sipas Ministres “Mungesa e investimeve ndër vite dhe dëmtimi i argjinaturës kanë sjellë situatën me të cilën përballemi në këtë zonë, vit pas viti. Deri më sot janë kryer punime minimale për mbrojtjen nga erozioni të brigjeve të lumit, por në asnjë rast nuk mund të lihej pa menduar një zgjidhje afatgjatë për zonën këtu. Zbatimi i këtij projekti, i cili në kushte të tjera do të kishte kushtuar miliona euro, falë profesionalizmit dhe përkushtimit të FA do të kushtojë shumë herë më pak”.
Xhaçka gjatë takimit në fshatin Ferras u shpreh gjithashtu se “ka ardhur koha, që nën shembullin e Fierit dhe të këtij projekti të mirëkoordinuar mes të gjithëve ne, të vendosim një standard të ri në menaxhimin e emergjencave përmes nismave që parandalojnë pasojat e motit të keq”.
Projekti për forcimin e argjinaturës së Vjosës është parë nga afër edhe nga 12 prefektët, përfaqësues të bashkive më të prekura nga përmbytjet në të gjithë vendin si dhe drejtues të disa njësive administrative të Fierit, Lushnjes e Vlorës.
Duke iu referuar fenomeneve të ndeshura çdo vit, si zjarret apo përmbytjet, ministrja e Mbrojtjes nënvizoi shqetësimin e aktivitetit abuziv njerëzor, i cili po shkakton dëme të mëdha për mjedisin dhe ekonominë e vendit. Njëherësh, ajo shprehu rezerva për neglizhencën e theksuar të disa aktorëve në raste emergjencash.
“Vërejmë një tendencë të shumë prej strukturave vendore që nuk e bëjnë siç duhet monitorimin e vazhdueshëm të territorit në juridiksionin e tyre, nuk bëjnë vlerësime të sakta për shkallën e emergjencës, si dhe nuk reagojnë në kohë me kapacitetet e tyre, por gjejnë rrugën më të shkurtër, duke thirrur për ndihmë Forcat e Armatosura. Nuk është e drejtë dhe nuk është aspak racionale që për çdo rast, qoftë edhe për një situatë lehtësisht të menaxhueshme nga strukturat lokale, të thërriten Forcat e Armatosura. Kjo sjell një konsum të kuptueshëm sa herë që ushtria lëviz. Të gjitha rëndojnë mbi xhepat e taksapaguesve shqiptarë”, – theksoi Xhaçka.
Ministrja e Mbrojtjes deklaroi se është në procesin e rishikimit të ligjit për Emergjencat Civile, ligj i cili pritet të përcaktojë detyrimet për secilën strukturë, si dhe penalitetet e nevojshme për strukturat dhe personat që neglizhojnë apo nuk respektojnë detyrimet ligjore.
Në prag të hartimit të buxheteve vjetore për bashkitë, Xhaçka kërkoi sërish përgjegjshmëri në përcaktimin e buxhetit kushtuar për emergjencat, zë i cili deri më sot nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga pjesa më e madhe e bashkive. Duke garantuar se Forcat e Armatosura do të vazhdojnë të përmbushin misionin e tyre madhor, atë të sigurisë së jetës së çdo qytetari, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka kërkoi bashkëpunimin e komunitetit, prefektëve e pushtetit vendor për të parandaluar situata, që para së gjithash kërcënojnë jetën e banorëve në zonat e prekura nga zjarret apo vërshimi i ujit./atsh
Loading...