Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektuan këtë segment, ku ka nisur prishja e ndërtimeve për t’i hapur rrugë ndërhyrjes në infrastrukturë dhe rikualifikimin urban të gjithë zonës.
Pjesë e projektit do të jenë disa pishina për të rritur dhe fëmijë, hapësira pushimi buzë detit të lidhura me shëtitoren nëpërmjet shkallëve.
“Parashikohet që ky projekt që ka filluar me prishjen e gjithë ndërtimeve pa leje e të gjitha ndërhyrjeve që janë bërë në vite, do të kthehen përsëri në identitet, të krijohen plazhe, të krijohet shkallarja që do vazhdojë aty ku mbarojnë fushat e sportit e në drejtim të tunelit”, – tha kryebashkiaku Leli.
“Kjo duhet pastruar totalisht, sepse duhet të garantohet që gjithë cilësia dhe bukuria e arritur me Lungomaren të vazhdojë të shtrihet deri tek tuneli. Kjo është faza e dytë. Faza e tretë pastaj është matanë, por në këtë fazë kemi këtë projekt, nga ku mbaron Lungomarja tek tuneli, që do të thotë që këtu duhet të pastrohet çdo gjë”, – tha kryeministri Rama, i cili nënvizoi se zhvillimi që do t’i sjellë zonës do të jetë spektakolar.
Projekti i arkitektit të famshëm belg, Xavier de Geyter, autori i Lungomares, parasheh një transformim spektakolar të këtij segmenti të dytë, ku hapësira deri sot e ngarkuar dhe e ngatërruar nga gjithëfarë ngrehinash e platformash të ndërtuara në vite, do të pastrohet tërësisht e do të rindërtohet në funksion të fuqizimit të imazhit të Vlorës së Rilindur Turistike. /atsh