“Dy të dielat e fundit të qershorit, janë dy datat e mundshme kur mund të zhvillohen zgjedhjet vendore 2019”, ka deklaruar kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, pas konsultimit me presidentin Ilir Meta për datën e zgjedhjeve.
Presidenti Meta nisi sot konsultimet me partitë politikë për datën e zgjedhjeve vendore, ku pjesë e konsultimeve në emër të pozitës ishte kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.
Pas takimit, në një prononcim për mediet, Balla theksoi se data e zgjedhjeve është e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor dhe e cakton presidenti, pas konsultimit me palët.
“Patëm një bisedë me presidentin Meta. Kodi Zgjedhor është i qartë qoftë në afatin e përfundimit të mandatit katërvjeçar të të zgjedhurve vendorë, qoftë në përcaktimin që në sesionin zgjedhor, prill-maj-qershor është cituar, dy të dielat e fundit të qershorit, si dy datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve vendore”, tha ai
“Dua ta them që ka pasur në fakt nga operatorët turistikë një kërkesë të kahershme për një datë më herët se sa fund qershori, por sigurisht kjo është një çështje që i takon dakordësisë mes të gjithëve. Megjithatë presidenti i republikës do të bëjë bëjë këtë proces konsultash dhe shumë shpejt do të ketë një datë. Ne nuk propozojmë datë sepse datën e përcakton presidenti i republikës dhe Kodi Zgjedhor”, tha kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla. /atsh