Maela Marini/ Aeroporti i Kukësit, punimet për të cilin nisën sot dhe do të finalizohen brenda 1 viti, do të jetë “low cost” dhe do të nxisë zhvillimin ekonomik të gjithë rajonit.
Kështu deklaroi sot nga Kukësi, Kryeministri Edi Rama, ndërsa shprehu kënaqësinë që në kuadër të ciklit kombëtar “Bashkia që duam”, takimi me banorët kuksianë organizohet në mjediset e aeroportit të ri.
“Ne sot po sot nisim punimet për aeroportin e ri ndërkombëtar, të dytin aeroport ndërkombëtar të Shqipërisë”, – tha Rama, duke siguruar se së shpejti do të nisin punimet edhe në aeroportin e Vlorës.
Kryeministri u zotua se qeveria do t’i ndërtojë të dyja aeroportet ndërkombëtare, të Kukësit dhe të Vlorës.
Rama theksoi se aeroporti i Kukësit ka një potencial të madh dhe do të jetë për fluturimet me çmime të ulëta.
Ky aeroport, tha Rama, është në pozicion strategjik, sepse përmbledh një pellg goxha të gjerë shqiptarësh që lëvizin shumë.
“Sot ne këtë punë e nisim për të përfunduar punimet civile brenda 1 viti dhe pastaj të bëjmë të gjitha certifikimet ndërkombëtare. Fillimisht parashikohet një fluks prej 300 mijë pasagjerësh vitin e parë për të shkuar vit pas viti në 1 milionë pasagjerë në vit”, – tha Rama.
Ky projekt, sipas tij, jep garancinë që aeroporti do të jetë edhe një gjenerator i madh vendesh pune, si rezultat i zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë.
“Çdo dollar në aviacion përkthehet në 4 dollarë përfitim. Ky aeroport do të sjellë një erë të re zhvillimi për gjithë zonën, sepse do të krijojë mundësi të reja, pasi do të ketë shumë nevoja për shërbime. Gjithë infrastruktura e shërbimeve prodhon vende pune që parashikohen në harkun e disa viteve deri në 12 mijë vende pune”, – tha Rama.
Rama theksoi se aeroporti do të rrisë në mënyrë të jashtëzakonshme numrin e konsumatorëve të shërbimeve duke gjeneruar shumë më tepër të ardhura.