Nisma, mbi 500 mijë libra do shpërndahen në 300 shkolla

“Kemi katër vjet që e vëmë theksin tek leximi dhe lexuesi dhe më vjen mirë që ligjërimi po artikulohet përherë e më shumë nga botuesi dhe botimi tek lexuesitë dhe leximi. Libri dhe leximi duhen kuptuar si motor lëvizës i zhvillimit social dhe ekonomik, sepse përmes leximit përgatisim qytetarë më të informuar për të drejtat dhe detyrimet e tyre në radhë të parë”, u shpreh ministria e Kulturës Mirela Kumbaro gjatë tryezës së diskutimit “Sfidat e Leximit sot” në Panairin e Librit ‘Tirana 2018’.

Kumbaro tha se ku ka dije, libra dhe biblioteka ka dhe ide inovative që lidhen me fatin e një vendi. “Libri të ofron shtigje të reja për të përballuar situata të vështira dhe për t’u matur me botën me inteligjencë dhe mençuri. Sot ne po matemi me botën jo me ngjyrën e pasaportës por me kapacitete. Leximi duhet të edukohet duke e tërhequr fëmijën dhe të rinjtë në fantazinë e botës së librit. Ne duhet të jemi mësues të kënaqësisë për leximin”, tha ajo.

Kumbaro shtoi se ministria e Kulturës po përpiqet prej vitesh që të nxisë dhe të edukojë përmes kulturës qoftë në artet pamore, muze, teatër. “Këtë vit ne vendosëm të kalojmë në një kalendar gjithëvjetor që shoqëron gjithë vitin mësimor dhe e kemi quajtur ”Lëvizja Kombëtare për Lexim”, e cila do vazhdojë deri në fund të vitit shkollor. Destinacioni kryesor i kësaj lëvizje janë fëmijët nga 0-14 vjeç”, theksoi Kumbaro.

“Fëmijës i lexohet që në barkun e nënës. Kushti që një fëmijë të bëhet lexues është që prindërit që herët t’i lexojnë libra me zë. Këtë vit, në kuadër të kësaj kemi në projekt dy çerdhe dhe tre kopshte pilot dhe pastaj do shtrihemi në një numër më të gjerë shkollash fillore dhe 9-vjeçare për ta zbatuar këtë nisëm”, tha Kumbaro.

”Ka ardhur koha që fushatës së bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve për një fëmijë të porsalindur t’i propozojmë nismën falni 5 libra për beben e porsalindur për të krijuar bibliotekën e librave të djepit. Për fat të mirë në bibliotekat tona janë librat për bebe të cilat duhen të jenë të parët që duhet t’i blihen një bebi. Sa më shumë t’i ndërgjegjësojmë prindërit për këtë, kemi fituar një lexues për të ardhmen”,u shpreh ministrja Kumbaro.

Kumbaro gjithashtu shtoi se “këtë vit lëvizja kombëtare ka marrë si model 12 qytete të vogla, pasi fëmijë lexues ka kudo. Për t’i pajisur me libra këta fëmijë ne do t’i bashkohemi një tjetër iniciative me ministrinë e Arsimit e cila po përgatitet për një blerje shumë më masive për libra për fëmijë rreth 500 mijë libra për t’i shpërndarë në afërsisht 300 shkolla”.

”Kjo është arsye pse po e forcojmë bashkëpunimin me ministrinë e Arsimit me qëllim që të rritet numri i shkollave me biblioteka të mirëmbajtura dhe të pasura me tituj të ri.
Synimi që ne kemi në fund të Lëvizjes Kombëtare të Leximit të gjithë kryetarët e bashkive të nënshkruajmë një memorandum me ministrinë e Kulturës për blerjen e librave me një fond të dedikuar për vitin 2019”, përfundoi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. /atsh

Loading...