Policia e Shtetit ka dhënë detaje mbi masat që do të mbahen nesër teksa do të mbahet samiti i BE-BP. Mësohet se janë disa akse që do të bllokohen duke nisur që në orët e para të mengjesit deri në 18:00.
Ndërkohë në disa të tjera do të devijohet qarkullimi.
Njoftimi i Policise se Shtetit
Në kuadër të masave të ndërmarra nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e Samitit Bashkimi Europian- Ballkani Perëndimor, i cili për shkak të rëndësisë së veçantë institucionale dhe shtetërore, zhvillohet nën masa të sigurisë së lartë, ju bëjmë me dije se:
Për arsye sigurie dhe për të garantuar mbarëvajtjen e këtij Samiti, do të ketë bllokime dhe devijime të disa akseve interurbane dhe urbane, të kryeqytetit, duke nisur nga ora 06:00, e datës 06.12.2022, deri në orën 18:00, të datës 06.12.2022.
Bllokimi i lëvizjes dhe devijimi në autostradat dhe rrugët interurbane, që të çojnë drejt Tiranës, do të fillojë në orën 07:00, ndërsa në qytet, në perimetrin e sigurisë, bllokimi do të fillojë në orën 06:00, ndërsa në rrugët e tjera që përfshihen në itinerarin e lëvizjeve në kuadër të Samitit, bllokimi do të fillojë në orën 08:00.
Do të bllokohen këto akse:
– Rruga “Rinas – Qafë Kashar” dhe anasjelltas;
– Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas;
– Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas;
– Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas.
-Gjithashtu, të gjitha rrugën që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara.
Në këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe për këtë arsye janë njoftuar të gjithë banorët e zonës, për mosparkim të mjeteve në këto segmente. Mjetet që nuk janë larguar do të spostohen me mjete ngritëse, nga Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit.
Për mjetet e emergjencave mjekësore dhe ato të emergjencave civile, nuk do të ketë pengesa, perveç kontrolleve nga punonjësit e Policisë, në perimetrin e sigurisë. Sqarojmë se, të gjitha mjetet e emergjencave që do t’u duhet të lëvizin në drejtim të QSUT-së dhe spitalit Shefqet Ndroqi, duhet të ndjekin unazën lindore, kur vijnë nga juglindja, për të vijuar nga Shkoza-Kryegjyshata Botërore-Farka-Sanatoriumi-Kodra e Priftit-QSUT.
Gjithashtu, emergjencat mjekësore që vijnë të Spitali i Traumës, nga veriu dhe jugu, gjatë kohes së bllokimit të akseve rrugore, të ndjekin akset alternative: “Paskuqan-rruga “Azem Galica”-shinat e trenit-Spitali i Traumës” dhe “Rruga e Shkodrës-rruga “Petrit Radovicka”-rruga “Gjergj Legisi”-rruga “Lord Bajron”-Spitali i Traumës”.
Gjithashtu, sqarojmë se:
-Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Fushë Prezë – Rinas”;
-Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Durrësi, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Vorë- rruga e vjetër e Fushë Krujës”;
– Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga juglindja, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Elbasan – rrethrrotullimi TEG-ut- unaza lindore- Paskuqan -Kamëz- kryqëzimi i Valiasit- Rinas”.
Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, për të shmangur sa me shumë levizjet me mjete, në datën 06.12.2022.