Gjenerali amerikan, Mark Milley shkoi javën e kaluar në një fushë ajrore të pazbuluar pranë kufirit me Ukrainën për të parë nga afër përpjekjet e disa shteteve për të futur armë në vend, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Mbrojtjes.
Teksa ndodhej në aeroportin sekret, Milley mësohet se u takua me trupat dhe personelin.
Vendndodhja e aeroportit që përdoret për transportimin e armëve në Ukrainë, mbetet sekret për të mbrojtur këto dërgesa, përfshira raketa.
Ushtria ruse ende nuk i ka shënjestruar këto dërgesa pasi hyjnë në Ukrainë, tha zyrtari, megjithatë ka shqetësimeve se Moska mund t’i sulmojnë teksa sulmi i saj përparon.
Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të NATO-s deri më tani i kanë dërguar Ukrainës 17.000 raketa antitank dhe 2.000 raketa anti-ajrore Stinger, tha një zyrtar i lartë amerikan për CNN.
Që para fillimit të pushtimit rus në fund të muajit të kaluar, qiejt mbi Evropë janë mbushur me avionë ushtarakë të SHBA-së dhe vendeve të tjera, veçanërisht me C-17, që është “shtylla kurrizore” e flotës ajrore amerikane.
Nga fillimi i pushtimit rus, 14 vende kanë dërguar ndihma sigurie në Ukrainë, tha zyrtari. Pasi kanë marrë armët, ukrainasit i kanë përdorur për të ngadalësuar dhe frenuar sulmet ruse në pjesë të ndryshme të Ukrainës.