Siç po ndodh rëndom kur flitet për krim, drogë e seks, edhe këtë herë u vu re që flitej për blerje votash, madje edhe për zgjedhjet e 30 qershorit, ku garonte vetëm PS.
Biseda që zhvillohet mes tyre:
Dajana: Zogu, votove ti motra?
Zogu: Jo akoma.
Dajana: Shko të lutem se më duhet shenja jote, ta çoj me foto, të kam motra zemër.
Zogu: Po mi.
Dajana: Se është orari që e ke fiks, hajt të jap motra njëzetmijë lekësh, shko.
Zogu: O sa mirë, kur, tani? Ja për gjysëm ore.
Dajana: Ik motra se në orën shtatë mbyllen qendrat e votimit.
Zogu: Bëje gati njëzet mijë lekëshin.
Dajana: Ta bën motra, ta bën motra, por merr edhe ndonjë këto grupin e gatshëm, votojnë këto?
Zogu: Ku di unë, ç’i du këto po votoj për vete, ta çoj me aplikacion po hec..
Pas këtij përgjimi reagoi edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili. Ai tha se SPAK nuk duhet t’i shmanget kësaj çështje kryesore.
“Në përgjimet e fundit del qartë se si 30 qershori ishte një këllirë politike dhe përgjimet e të famshmit Zogu i Tiranës dhe Dajanës vërtetojnë sheshit blerjen e neveritshme të votës për të legjitimuar votimet moniste të Edi Ramës.
Nëse SPAK i bën bisht hetimit të krimit elektoral qeveritar ashtu siç bëri prokuroria e Arta Markut, që i çoi dosjet në Dibër, kujt i duhet më ky SPAK?
Një SPAK që do t’i shmanget çështjes më kritike në Shqipëri, ku qeveria dhe krimi të bëra njësh grabisin votën me para e kërcënime gjithfaresh pushtetin e qytetareve, është një SPAK, që vdes pa lindur ende,” shkruan Vasili.