Njihuni me 80 vjeçarin që thur shporta si në kohë të vjetra

Shumë profesione janë zëvendësuar nga makineritë, por ka edhe nga ato të cilat janë të pazevendësueshme siç është edhe thurja e shportave me thupra, e atë e trashëgojnë vetëm pak njerëz në Shqipëri.

Një ndër ta është edhe 80-vjeçari Nikoll Lazri nga fshati Troshan i Lezhës. I moshuari realizon kosha të modeleve të ndryshme. Lazri zanatin e ka mësuar nga babai i tij që në moshë të vogël.

Punishten e ka përshtatur në katin e dytë të banesës, ndërsa teknika që përdor për realizimin e koshave është krejt e veçantë. Lënda e parë janë thuprat që, siç tregon Nikolla, i merr në malin e fshatit.

‘Unë bëj kosha buke, kosha perimesh. Po që në kohën e kooperativës kam bërë kosha duhani, por edhe kosha rrushi, në formë katrore. Si produkte përdor thuprat dhe shkozat, vetvetiu ka vështirësi, sepse duhen nxjerrë njëherë e më pas duhen pastruar duke i hequr degët…’, shprehet ai.

Kërkesat për kosha nuk janë të shumta, por Nikolla i cili është pensionist është i kënaqur që siguron sadopak të ardhura për familjen e tij.
Kërkesat janë të pakta, një klient që kam këtu është bërë shkaktar i kësaj pune, kam edhe në Tiranë, por janë të pakta në numër. Unë pensionist jam, edhe ato pak të ardhura që nxjerr më mjaftojnë’, vijoi më tej Nikoll Lazri.

Familja Lazri është mjaft e apasionuar pas zanateve të vjetra. Edhe bashkëshortja e tij punon në tezgjah, profesion që e ka mësuar nga të parët dhe vijon ta ushtrojë edhe sot e kësaj dite.

Çifti Lazri mund të konsiderohen pa frike si simbol i ruajtjes së traditave, një shembull ky mjaft pozitiv për të gjithë shoqërinë tonë./Shqiptarja

Loading...