Njihuni me shqiptarin krah Merkelit – Drejt ‘majave’ në Gjermani!

Samiti i dytë i Diasporës i mbajtur në Tiranë ishte një mundësi e shkëlqyer për personalitete të diasporës shqiptare që të jepnin kontributin dhe idetë e tyre nga eksperienca e marrë në vendet ku ata jetojnë në dobi të zhvillimit të Shqipërisë.

Besnik Kelmendi është një shqiptar, i cili prej më shumë se 25 vjetësh jeton në Gjermani. Ai është aktivist dhe sot është një nga zërat më të dëgjuar në forcën politike më të madhe në Gjermani CDU.

Si zyrtar në Ministrinë e Brendshme të landit të Rajnës Veriore dhe Vestfalisë (NRW), ai është mjaft aktiv në përfshirjen dhe integrimin e bashkatdhetarëve në këtë vend.

Besnik Kelmendi shkoi në moshën 12-vjeçare në Gjermani si refugjat me familjen e tij. Ai mësoi shpejt atje gjuhën dhe u integrua në shoqërinë gjermane. Në vitin 2002 e mori edhe shtetësinë gjermane. Kelmendi e filloi karrierën e tij të suksesshme qysh në vitet e rinisë.

Pas mbarimit të shkollës në vitin 1995 e filloi kualifikimin profesional si Kaufman për menaxhimit të byros në Dhomën për Industri dhe Tregëti (IHK) në Essen.

Pas përfundimit të shkollimit profesional filloi punë në REWE, ku e vazhdoi kualifikimin dhe në vitin 1999 ai bëhet udhëheqës i njërës prej filialeve të REWE-së në Essen. Në vitin 2002 ai kaloi në LIDL si udhëheqës i njërës prej filialeve më të mëdha të kësaj firme në Essen. Në këtë kohë ai e vazhdoi specializimin e tij në këtë fushe.

Nga marsi i vitit të kaluar Kelmendi është zyrtar i Ministrisë së Brendshme të landin të Rajnës Veriore dhe Vestfalisë (NRW). Në pranverën e vitit 2014 ai u bë anëtar i CDU-së në Essen. Në të njëjtin vit ai u bë pjesë e kryesisë “Migrantët e Unionit” në Kreisverband të CDU-së në Essen.

Në dhjetor të vitit 2016 ai ishte pjesë e Kongresit XIX federal të CDU-së si njëri nga bashkëpuntorët organizativ të tij, me ç’rast kancelarja dr. Angela Merkel u rizgjodh si kandidate për kancelare e CDU-së. Nga shkurti i vitit 2017 Besnik Kelmendi është anëtar i kryesisë së CDU-së në Essen-Überruhr si sekretar protokolli dhe nga qershori i po të njëjtit vit ai bëhet edhe anëtar i kryesisë së CDU-së për Ruhrhalbinsel.

Më 21 shkurt 2017 u zgjodh si delegat për Konferencën e Qarkut dhe për Konferencën e të Distriktit të qytetit Essen. Veç kësaj Besnik Kelmendi është edhe kryetar i “Unionit i Integrimit Gjermano-Shqiptar e.V.” dhe zëvendëskryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Gjermani. Kelmendi merr pjesë edhe më tej në Tryezën e Rrumbullakët të qytetit të Essenit si dhe në “Forumin Politik Ruhr e. V”.

Kelmendi së fundmi ishte edhe në Samitin e Diasporës ku mbajti fjalën e tij në lidhje me votën për emigrantët. Në një intervistë për ATSH-në, Kelmendi thekson se vota e diasporës është diçka e nevojshme dhe që mund të realizohet lehtësisht.

Ai thekson se përshtypjet nga Samiti janë jashtëzakonisht pozitive. “Pjesëmarrja ime në samit më dha mundësinë jo vetëm që të njihem më afër me punën serioze që bën shteti shqiptar për t’u afruar me diasporën e tij, me shqiptarët kudo në botë, duke iu afruar atyre një mundësi kontakti intim me vendin e origjinës, por prania ime në këtë Samit më dha edhe mundësinë tjetër për të takuar miq e veprimtarë shqiptarë, të njohur e të panjohur më parë, nga shtete të ndryshme dhe të shkëmbej me ta mendime dhe përvoja, me një fjalë përshtypjet e mia nuk ka si të jenë më të mira”, u shpreh ai.

Në lidhje me votën e Diasporës për të cilën foli në Samit, Kelmendi thekson se, “Unë në panel fola për dy çështje: për mundësinë e votimit të shqiptarëve jashtë dhe për vendet e rezervuara për diasporën në parlament. Sa i përket vendeve të rezervuara, unë them se më parë ne duhet të përfshijmë ekspertë shqiptarë në diasporë në grupe pune pranë institucioneve të shtetit shqiptar, në Qeveri dhe në Kuvend.

Kjo është një punë lehtësisht e realizueshme dhe shumë e dobishme për shtetin tonë. Këtu nuk kemi nevojë të vëmë kurrfarë kufizimi numrash të atyre që do të tërhiqeshin në bashkëpunim. Për sa i përket përfshirjes së diasporës në zgjedhjet e përgjithshme them se shqiptarët janë të vonuar, por është mirë që kjo çështje është shtruar si problem tani që mundësitë e mërgimtarëve shqiptarë për të realizuar këtë të drejtë janë gjithsesi më të mëdha. Edhe vetë diaspora në ndër kohë ka ndryshuar në cilësi.

Më ajo nuk përbëhet nga refugjatë, por nga qytetarë të mirë integruar në jetën ekonomike dhe politike në vendet përkatëse, kështu që ata tani sigurisht kanë edhe çka të thonë e çka të japin. Prej vitesh është shtruar ky problem se a duhet të marrin pjesë në zgjedhje shqiptarët që jetojnë jashtë apo jo. Përgjigja ka qenë gjithmonë pozitive, por deri më tani kjo punë kaq elementare për demokracinë shqiptare nuk është rregulluar me ligj.

Askush nuk e kundërshton të drejtën e diasporës për votim, por, në anën tjetër, për më tepër se një çerekshekulli nuk është bërë asgjë.

Unë mendoj se është koha e fundit që çështja e votës së diasporës të rregullohet me ligj. Mendoj se realizimi i të drejtës së tyre për votim është një gjë që duhet të realizohet sa më parë, qysh në zgjedhjet e ardhshme”.

Në lidhje me komunitetin shqiptar në Gjermani, Kelmendi thekson se “komuniteti ynë ka qenë shembull gjithmonë”/ATSH

Loading...