Nga Genc Demiraj
Notre Dame de Paris
Kur Viktor Hygo do të niste të shkruante romanin e famshëm Katedralja e Parisit, padyshim që nxitjen e morri nga fjala mistike e gdhendur në një nga muret e errët të katedrales, të shkrojtur nga kush e di se kur dhe kush e di se kush…Fatalitet…
Kjo fjalë që e tronditi dhe e trazoi muzën e tij duke mundësuar që njerëzimi të kish paskëtaj një tjetër pasuri letrare që do ta përjetësonte duke e kthyer në simbol jo vetë të Francës, Notre Dame de Paris.
Dhe simbolika e fatalitetit sikur u parandje nga Hygoi për këtë kryevepër arkitekturore dhe religjioze e historisë së njerëzimit…dikush tjetër përmend parashikuesin e frikshëm Nostradamus, por këto pak rëndësi kanë sepse më e rëndesishmja e papritëshme ndodhi…Notre Dame ra në zjarr.
Flaka dhe tymi, si një mallkim hyjnor, përpinë dhe mbuluan vetë simbolin e hyjnisë mistike këtu në tokë duke lënë pa gojë dhe të tronditur miliona njerëz ! Askush nuk pipëtinte, ndërprenë gjithëshka nga e përditshmja e tyre…lanë gëzimet, festat, sherret, politikën, protestat, fjalimet, debatet, vlerësimet, intrigat, djallëzitë, poshtërsitë, lanë gjithëshka dhe pa fjalë, në një solidaritet të paqtë dhe të përlotur luteshin për shpëtim….Dhe ndoshta Zoti i dëgjoi…
Ndoshta paskëtaj do të ketë shumë ndryshime në botë, në politikë, në ekonomi, në rendet shoqërore…sepse, ndoshta, katrahura globale ka mërzitur vërtetë edhe vetë Zotin…
Zjarri i Notre Dame de Paris është ndoshta sinjali i parë i ndryshimeve globale…ndryshime që do të lënë pas agresivitetin e kësaj shoqërie njerëzore dhe për tu zëvëndësuar me solidaritetin dhe mirësinë e njerëzimit…Dhe ndoshta, këtej e tutje, edhe Notre Dame de Paris mund të quhet Notre Dame de Word.