Njësia Administrative e Novoselës në Vlorë do të përfitojë nga një projekt i rëndësishëm që konsiston në furnizimin me ujë të pijshëm të kësaj zone pa ndërprerje dhe me cilësi, duke zgjidhur kështu njëherë e mirë problematikën e furnizimit me ujë.
Përfituese të këtij projekti janë fshatrat e Njësisë Administrative të Novoselës, ndërsa projekti është në fazën e hartimit, diskutimeve dhe konsultimit.
Në këtë kuadër, në Njësinë Administrative të Novoselës, është organizuar një takim ku ka marrë pjesë Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë, Dorian Xhelili, Kryetari i Njësisë Administrative të Novoselës, Kanan Shakaj, si dhe projektues e inxhinierë që janë duke u marrë me këtë projekt të rëndësishëm.
Me këtë investim do t’i jepet një zgjidhje përfundimtare projektimit dhe më pas do të vazhdohet me financimin dhe zbatimit.
Në këtë projekt është kërkuar ridimensionim i të gjitha stacioneve të pompimit, të stacionit qendror, rrjetit të transmetimit dhe atij shpërndarës të të gjitha fshatrave deri në vendosjen e ujëmatësave./atsh