Nuk do ta besoni sa mish konsumojnë shqiptarët

Konsumi i mishit dhe nënprodukteve të tij në Shqipëri shënoi rritje në vitin 2018, ndonëse prodhimi vendas ka mbetur në vendnumëro.

Kompanitë kryesore vijuan konsolidimin e pozicionit të tyre, edhe pse nevojën për lëndë të parë po e plotësojnë nga importi.

Siguria ushqimore mbetet sfidë, duke vështirësuar edhe eksportet. Sa mish konsumuan shqiptarët në vitin 2018 dhe si po ndryshon konsumi? Tetë kompanitë kryesore të përpunimit të mishit në vend qarkulluan 10 miliardë lekë…

Mishi dhe nënproduktet e tij janë nga produktet bazë të shportës së konsumatorit. Shqipëria, si një vend në zhvillim, mbetet pas konsumit mesatar për frymë në krahasim me vendet e zhvilluara.

Industria e përpunimit të mishit ka pasur një rritje të qëndrueshme, edhe pse siguria ushqimore mbetet “thembra e Akilit për sektorin”.

Konsumi i mishit në rritje, por kanë nisur të ndihen pasojat e emigracionit

Në dy vitet e fundit, në Shqipëri, konsumi i mishit përllogaritet rreth 70 kg për frymë. “Monitor” ka përllogaritur sasinë e konsumuar duke i shtuar prodhimit vendas importet dhe duke iu zbritur sasinë e mishit të eksportuar nga Shqipëria.

Prej 2009-s, ku sipas së njëjtës përllogaritje konsumohej rreth 64 kg për frymë, konsumi i mishit është rritur vazhdimisht, edhe pse me ritëm modest. Operatorët kryesorë pohojnë se tendenca e konsumit të mishit është në rritje.

Por, përfaqësues të kompanisë Hako argumentojnë se në vend nuk ka trend dobësimi për konsumin personal, por ulje popullsie dhe kjo reflektohet te konsumi. Antonela Mema, nga kompania Hako, shpjegon se rënia e popullsisë ka ardhur si pasojë e emigracionit kaotik, duke sjellë reduktim të konsumit në total.

Krahasuar me vendet e zhvilluara, ku konsumi i mishit në vit i kalon 100 kg, në Shqipëri, një vend në zhvillim, pritet të vazhdojë trendi i rritjes.

Prodhimi vendas, në vendnumëro

Në vitin 2018, prodhimi vendas përllogaritej rreth 161,3 mijë tonë, me një rritje të papërfillshme krahasuar me një vit më parë (0,1%), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë. Prodhimi i mishit ndahet në katër grupe të mëdha, në mish gjedhi, të imtash, derri dhe shpendi, ku rritje ka shënuar vetëm prodhimi vendas i mishit të të imtave. Ndërsa mishi i gjedhit, derrit dhe shpendëve kanë pësuar rënie, duke ua lënë vendin importeve.

Prodhimi i mishit të gjedhit për 2018-n ishte 68 mijë tonë, nga 72 mijë tonë në 2017. Prodhimi i mishit të derrit nga 17 mijë tonë, ishte 16,9 në 2018-n. Rënie shënoi dhe prodhimi i mishit të shpendëve i cili ka pasur trend rritës prej 2012-s. Në 2018-n u prodhuan 19,7 mijë tonë nga 20 mijë një vit më parë.

Prodhimi vendas nuk i përgjigjet as kërkesës së kompanive të përpunimit për lëndë të parë, të cilat kërkojnë sasi, të cilat fermat e vogla në vend nuk mund t’ia plotësojnë. Fragmentarizimi i tokës bujqësore ka krijuar ferma të vogla me 1-5 krerë bagëti dhe me sipërfaqe mesatare 1.4 hektarë.

Barriera në eksport, shkak mungesa e gjurmueshmërisë

Eksportet e mishit dhe nënprodukteve të tij nga Shqipëria në vendet e BE-së dhe CEFTA-s kanë qenë të kufizuara, edhe pse operatorëve kryesorë, ata plotësojnë kushtet mbi standardet e sigurisë. Shkaku kryesor për kufizimin e eksporteve në vendet e BE-së është mungesa e gjurmueshmërisë në produktet me prejardhje shtazore në vend. Procesi i matrikulimit i bagëtive në Shqipëri nuk ka përfunduar.

Për rrjedhojë, sipas operatorëve Shqipëria shënjohet si një vend origjine jo të sigurt. Ata pohojnë se hasin barriera në eksport edhe në vendet anëtare të CEFTA-s, me të cilat kemi marrëveshje të tregtisë së lirë. Kryesisht vendet e rajonit, nëpërmjet barrierave jo-tarifore, vështirësojnë tregtinë e mallrave Made in Albania, duke shtuar kontrollet higjieno-sanitare në doganat e tyre. Sipas operatorëve të tregut, masa proteksioniste merren nga autoritetet për bizneset lokale atje.

Për vitin 2018, Shqipëria eksportoi rreth 568 tonë mish, nga 365 tonë një vit më parë. Referuar të dhënave të INSTAT mbi tregtinë e jashtme për mishin, në 10 vitet e fundit eksportet shënuan vlerën më të ulët në vitet 2013-2015, duke marrë sërish tregjet në dy vitet e fundit.

Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, një kilogram mish i eksportuar nga Shqipëria është tregtuar mesatarisht 625 lekë për kg.

Importet, nga vjen mishi në Shqipëri

Në 2018 u importuan 39.7 mijë tonë mish, me rritje nga një vit më parë. Gati 30% e mishit të importuar në 2018-n në Shqipëri erdhi nga Brazili, me peshë rreth 10 mijë tonë. Vendin e dytë, me 16% të totalit të sasisë së importuar e zë mishi me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto dy vende përgjigjen për pothuajse gjysmën e importeve të mishit.

“Monitor” përllogariti vlerën mesatare në lekë të një kilogram mishi që ka hyrë në Shqipëri nga këto vende me përkatësisht 212 lekë/kg nga Brazili dhe 107 lekë/kg nga SHBA. Jo rrallëherë, autoritetet kanë bllokuar ngarkesat e mishit nga Brazili, për arsye të mosplotësimit të standardeve. Çmimi i ulët lidhet me cilësinë e dobët. Megjithatë, duke qenë se këto dy vende kanë ferma të mëdha, me shumë krerë bagëti, përfitojnë nga ekonomia e shkallës dhe nxjerrin një produkt me kosto më të ulët se në Shqipëri, ku mbizotërojnë fermat me 1-5 krerë bagëti.

Greqia dhe Italia janë dy vende të tjera origjine me peshë në importe, me përkatësisht 14 dhe 12%. Një kilogram mish i importuar nga Greqia ka hyrë me çmim mesatar 70 lekë për kilogram, ndërsa nga Italia me 131 lekë për kilogram. Gjermania dhe Polonia renditen më pas, me 8% dhe 6% të totalit të sasisë së importuar, prej të cilave importohet kryesisht mish derri. Në Poloni janë ngritur ferma të mëdha të mbarështimit dhe rritjes së derrit, duke rritur konkurrueshmërinë e këtij vendi në këtë segment. Mishi i derrit të importuar përdoret kryesisht për prodhimin e sallameve.

Shqipëria, mishin më të lirë në Europë

Mishi është një prej produkteve të shportës bazë të ushqimeve. Niveli i çmimit për këtë produkt dhe konsumi e rendisin Shqipërinë në vendin më të lirë dhe ndër vendet me konsumin më të ulët të tij.

Eurostat publikoi statistikat mbi indeksin e çmimit të mishit në 2017-n për të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian, vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë. Shqipëria renditet e fundit për sa i përket nivelit të çmimeve, ku mishi kushton rreth 45% më lirë se mesatarja e vendeve europiane (EU=100).

Krahasuar edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, niveli i çmimeve të mishit është më i lirë. Pas Shqipërisë, renditet Maqedonia, ku mishi kushton rreth 42% më lirë se në vendet e Bashkimit Europian.

Mishi kushton më shtrenjtë në Kosovë, rreth 13% më i lartë krahasuar me Shqipërinë. Në vend të dytë, për nivelin e lartë të çmimeve në Ballkanin Perëndimor, është Mali i Zi dhe Bosnja, ku çmimi i mishit është rreth 12% më shtrenjtë se në Shqipëri. Më pas renditet Serbia, rreth 9% më shtrenjtë se në vendin tonë./monitor/

Loading...