Pas arrestimeve të fundit të disa personave në lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, njëri prej tyre i shpallur në kërkim ka thyer heshtjen duke sfiduar edhe autoritetet ligjzbatuese.
Bëhet fjalë për numrin dy të Listës Serbe Milan Radoiçiç. Ai ka shkruar se njësitet speciale të Policisë së Kosovës kërkuan “ta vrasin” të premten në mëngjes gjatë operacionit për arrestimin e katër personave, të dyshuar si autorë të ekzekutimit mafioz.
“Nuk kam qenë shoku më i afërt i Ivanoviçit por nuk jam vrasës dhe nuk kam asnjë lidhje me vrasjen e tij”, ka shkruar ai.
Nënkryetari i Listës Serbe e ka quajtur “kriminal” aksionin e Policisë së Kosovës, ndërsa thekson se është përdorur forca edhe pse serbët po mbrojnë dinjitetin e tyre.
“Aksioni i fundit kriminal i Policisë dhe i pjesëtarëve të sigurimit privat famëkeq të terroristëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut ishte demonstrim i forcës ndaj çdo serbi që ka vendosur ta mbrojë dinjitetin dhe të drejtën e vet për jetë”, shtoi ai
Ai tregoi se policia i ka shkuar në banesën ku jeton bashkë me gruan dhe fëmijët
“Erdhën tek unë në banesë ku jetoj me gruan dhe fëmijët, të armatosur deri në dhëmbë, me të vetmin qëllim, që të më vrasin. Dhe për këtë kam dëshmi të qarta”, thekson më tej serbi. Gjithashtu në fund ai ka deklaruar në formë të prerë se nuk ka ndërmend të dorëzohet, sepse nuk e lidh asgjë me vrasjen e politikanit serb.
(/BalkanWeb)