Nga Genc Demiraj
Nuk duam tja dimë…
Oh sa mirë me qenë shqiptarë…! Nuk ka fjali më të gjindur për këdo që është në këto troje dhe nga këto troje… Oh sa mirë dhe lum si ne. Na gëlon shpirti dhe na gufon zemra, qofshim ne dhe mos qoftë kush tjetër si ne…
Më të mirët , më të dlirët , më të urtët , më punëtorët , më të mençurit, më therorët… Eh, është mirë të jesh shqiptarë. Nuk mund të imagjinohet sa shumë të duan dhe të respektojnë në botë si të tillë.
Sa e marrin vesh që je nga ky sua, qofsh dhe më i kënduar ndër shokë , të veçojnë dhe të trajtojnë siç të ka hije, denjësisht dhe respektivisht !
Oh sa mirë të jesh shqiptarë…! Harron lodhjen, mundin, streset për këtë emër…Ke bërë a ske bërë rrugët e botës dhe prapë rikthehesh vetëm për pak Shqipëri.
Nuk duam tja dimë për varfërinë që na ka kapluar, nuk duam tja dimë për ditët e zbrazëta dhe gri.
Nuk duam tja dimë as për baltën, pluhurin dhe smogun, kur je i pushtuar nga sindromi Shqipëri… As që pyesim ne, se si dhe qysh na kanë përdorur, që nga politika e madhe jemi vënë në rresht…si dhe as që duam tja dimë, se cili nga këta te “parë”, këtë vend po e bënë përshesh. Nuk duam tja dimë, që bollëku dhe mizerja janë veç një hap larg , krimineli dhe viktima janë pranë e pranë , i mençuri dhe budallai ecin krah për krah…
…Nuk duam tja dimë, që virtyti dhe morali yne po ndryshojnë lemerishëm, ku i ndershmi është idiot dhe maskarai i njerëzishëm…Ku servilët , dallkaukët , ziliqarët , batakçinjtë , kodoshët dhe zuzarët janë bërë njerëz të zotë , potent dhe të kohës… ne nuk duam tja dimë.
Nuk duam tja dimë që ekonomia po rrënohet , dhe shkaktarët përditë na gënjejnë…por ne në delir as bëzajmë as dëgjojmë. Dhe nuk është faj ynë për shurdhërinë e heshtur dhe as për ndjesinë , që nuk duam tja dimë…është gatimi ynë , si brezat e parë, të krenohemi nga krenaria : Oh sa mirë me qenë shqiptarë…!