Ish-ministri Lefter Koka apelon vendimin e Gjykatës së Posaçme dhe kërkon të dalë nga qelia. Ai akuzohet për shpërdorim detyre pasi sipas SPAK, ka marrë 3.7 milionë euro që të favorizonte dy kompani për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.
“Nuk jam i rrezikshëm! Nuk i shmangem hetimit dhe nuk kam shkelur asnjë ligj”, ka thënë ndër të tjera në kërkesën e tij për liri Lefter Koka. Më datë 16 dhjetor në caktimin e masës paraprake të sigurisë, GJKKO e la ish-ministrin në burg.
Fatmir Braka, avokati mbrojtës i ish-ministrit Lefter Koka, tha për mediat atë ditë se korrupsioni nuk është përmendur fare në seancë, por vetëm akuza e “Shpërdorimit të detyrës”. Ai e quajti jo normal arrestimin dhe mbajtjen në burg të Lefter Kokës, sepse nuk është marrë më parë në pyetje.
AKUZAT
Sipas SPAK, duke vlerësuar në tërësi provat e administruara, krijohen dyshime të arsyeshme se shtetasi Lefter Koka ka konsumuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 e 25, 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.
Bazuar në argumentet e mësipërme, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit S.G dhe K.Z kanë konsumuar veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.
RRETHANAT E FAKTIT
Nga veprimet hetimore të kryera dhe nga vlera provuese e provave të mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe krijohet bindja se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar konçensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.
Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro).
Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro).
Gjatë hetimeve paraprake për këtë proçedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.