Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla ka deklaruar se sot Kongresi do të miratojë nisjen e një procesi për hapjen e PS. Balla tha se PS do të bëjë një analizë të thellë për zgjedhjet e shkuara si dhe një riorganizim tërësor në terren për çfarë do të vijë më pas.
Zgjedhjet e 2023 dhe 2025 janë objektivat e radhës të PS, ndaj dhe Balla tha se të gjithë socialistët duhet të jenë dhe të bëhen gati të fitojnë.
Numri dy i PS ka dërguar një mesazh për kryebashkiakët dhe anëtarët e këshillave bashkiakë duke iu thënë se ‘’Nuk ka kohë për pushime verore”.
FJALA NGA TAULANT BALLA
Të dashur delegate e delgatë, të dashur anëtare dhe anëtarë të Partisë Socialiste, në Shqipëri dhe jashtë vendit, simpatizante dhe simpatizantë, motra e vëllezër, Gëzuar Ditëlindjen e 30 të Partisë Socialiste.
Mirënjohje themeluesve kurajozë, të gjithë kontributorëve ndër vite, të cilët i dhanë Shqipëricë një forcë politike, të madhe, atdhetare, gjithmonë e hapur, progresiste dhe moderne, e cila promovon në shqipëri vlerat më të mira social-demokrate europiane.
Ky përvjetor i familjes sonë politike, vjen pas fitores më të madhe, më të dukshme, më të qartë, më bindëse, më të bukur, por edhe më të vështirë të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Ne rikonfirmuam 74 mandate, nuk mund të rri pa e thënë se populli shqiptar na besoi të paktën 78 mandate, nëse nuk do të ishte numri i papritur i fletëve të pavlefshme të atyre që kishin në zemër 12 Qershorin, por gabuan me shenjën e preferencës së kandidatëve.
Por prapë se prap, pa të paktën 50 – 60 mijë vota si këto, Partia Socialiste e theu më 25 Prill rekordin e vet të mëparshëm. Edhe pse mandati i dytë ishte më sfiduesi në këto 30 vite, për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit dhe të pandemisë.
Por sfidat që këto dy beteja na vunë përpara, ishte një sprovë tjetër e madhe e karakterit tonë të fortë si forcë qeverisëse. Ne i thamë cdo familje e cdo shqiptari e shqiptareje të prekur nga tërmeti #TiNukDoJeshKurrëVetëm, dhe e përballuam me dinjitet e përgjegjësi dhe sot banesat, pallatet, shkollat, kopshtet, spitalet e reja janë aty ku më 26 Nëntor ishin gërmadhat.
Ne morëm masat e duhura në cdo etapë të pandemisë, nga masat e forta shtërnguese deri tek vaksinimi masiv dhe sot jemi bashkë me Islandën, dy vendet me numrin më të ulët të personave të prekur.
Fitorja jonë më 25 Prill ishte rekordi historik i super-skuadrës sonë, ku meritën e kanë të gjithë sipas kontributit, po natyrshëm Edi Rama ka meritën kryesore, me fuqinë e tij të jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë Europiane dhe të një gjeneratori energjie që nuk ka konkurent në këtë vend.
Merita tjetër e madhe shkon për gjithë anëtarësinë, patronazhistët, kandidatët dhe mbështetësit tanë në fitoren historike të mandatit të tretë. Ne, Partia Socialiste kemi nisur më 25 Prill një etapë tjetër të një mision të historik.
Shqiptarët konfirmuan me votën e tyre se Partia Socialiste mbetet e vetmja forcë politike me vokacion të qartë: për një Shqipëri europiane me shtet ligjor; drejtësi të pavarur; me një ekonomi tregu konkuruese dhe mirëqenie sociale. Sot Shqipëria po fillon bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian.
Sot Shqipëria pret stërvitjen më të madhe ushtarake të forcave aleate dhe rrit rolin e saj si Partner strategjik dhe aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkura të Amerikës. Sot Shqipëria mban pozicionin e vet më të lartë ndërkombëtar në historinë e saj, si Anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara; pas Presidencës historike të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.
Ndërsa sot jemi të gjithë 30 vjecarë, sic tha shoku Fatos në fjalën e tij përshëndetëse, Vlerat e socialistëve kanë spikatur edhe në momente të vështira e delikate që ka kaluar vendi ynë në ngjarje me ngarkesë të madhe politike:
si refuzimi i tentativës për uzurpimin e demokracisë me projekt-kushtetutën e vitit 1994,
zgjedhjet e 26 Majit 1996,
kriza e piramidave në 1997,
miratimi i Kushtetutës në 1998,
kontributi i pazëvendësueshëm në luftën e Kosovës në 1999,
anëtarësimi në NATO dhe rruga e anëtarësimit në BE;
miratimi dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi
Të dashur delegate dhe delagatë,
Ky Kongres i Jashtëzakonshëm u thirr me propozim të Kryetarit të Partisë, nga Asambleja Kombëtare, për të startuar një ri-organizim të plotë të strukturës sonë, në të gjitha nivelet, duke e paraprirë nga një analizë e imtësishme e rezultatit të zgjedhjeve në çdo qark.
Besoj se të gjithë kemi mësuar nga gabimet e së shkuarës, kur lënia në harresë e strukturës së partisë, nuk na ka dhënë rezultatin e duhur në përballjen elektorale të radhës. Kush nga ne thotë sot se jemi të lodhur nga fushata, unë dua t’i them: ne sot jemi në kohën e duhur për të filluar një analizë të thellë të rezultatit në cdo qendër votimi, pra në cdo organizatë socialiste, në çdo Këshill Socioalist, në cdo asamble bashkie dhe në cdo këshill koordinativ qarku e deri në asamblenë kombëtare.
Nga kjo analizë dhe ripërtëritje e fuqisë sonë organizative ne duhet të bëhemi tërësisht gati për fitoren e zgjedhjeve vendore të vitit 2023, dhe ato parlamentare në vitin 2025. Në të gjitha qarqet pa asnjë përjashtim, ne duhet të përmirësojmë dhe ri-organizojmë përbërjen dhe strukturën tonë organizative; duhet një punë si asnjëherë më parë forcimin e organizatave tona socialiste, të cilat jo në të gjithë territorin kanë dhe kishin efektivitetin e duhur sipas targetit të vendosur.
Do të jetë Komisioni i Posacëm i Ri-organizimit, i cili me shumë objektivitet do të prodhojë raportet analitike të rezultateve ndër vite dhe në marrëdhënie më objektivin elektoral, por është evidente që kemi nevojë për një organizim të ri të partisë në cdo cep të territorit.
Ky Kongres është një moment i rëndësishëm në një hapje të re, që PS të jetë e mirë për të gjithë të tjerët, me fokus në thellimin e barazisë gjinore, në përthithjen e sa më shumë të rinjve, në vendosjen e piketave tona organizative për zgjedhjet vendore pas dy viteve, për të cilat kryetarët e bashkive dhe anëtarët tanë të këshillave bashkiake duhet ta kuptojnë se kohë për pushime verore nuk ka.
Motra dhe vëllezër, Ky mandat i tretë na imponon besnikëri më të madhe ndaj atyre që na votuan, njerëzve të zakonshem të këtij vendi. Ata s’duhen harruar. Na duhet më shumë koordinim dhe bashkëveprim mes qeverisë, Grupit Parlamentar, Partisë Socialiste në cdo nivel, por edhe me kryetarët e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë.
Padyshim partia është baza e këtij procesi, ura lidhëse e grupit parlamentar, e Qeverisë me njerëzit. Një parti e fortë në territor është garancia e mos-harresës për asnjë ditë prej nesh këtu lart, të atyre atje poshtë, në hartën e Shqipërisë reale të halleve, problemeve, shpresave e pritshmërive të shqiptarëve.
Dua ta falederoj sot Grupin tonë aktual parlamentar për punën që bëmë sëbashku në këtë legjislaturë. Një bilanc i pa-arritshëm në aktivitetin legjislativ, dhe si asnjëherë më parë në korrektësinë politike, shembul i cë cilës ishte edhe votimi i fundit për lirimin nga detyra të ish-Presidentit.
Të dashur delegate dhe delegatë, Ne e kemi partinë e duhur dhe liderin e duhur. Të tjerët s’kanë as parti, për fatin e tyre të keq s’paskan as lista anëtarësh. Kundërshtarët tanë kryetarë, por s’kanë lider. Ajo që na duhet është nevoja e një ri-organizimi të plotë në territor.
Përmbyllja e procesit të kalimit anëtarësisë së partisë tërësisht 100%, pa konservatorizma të kotë, në rrjet digjital është synimi ynë në këtë kalendar të ri politik që do të miratojmë sot në Kongres.
Përfshirja e partisë në vlerësimin e Deputetëve, Qeverisë dhe Kryetarëve të Bashkive, ishte një ushtrim shumë demokratik nga i cili u morën të dhëna të dobishme.
Cdo anëtar i Partisë Socialiste duhet të marrë njoftim në kohë reale për cdo vendim-marrje tonën, në Kuvend, në Qeveri apo këshilla bashkiakë.
Dhe anasjelltas, cdo anëtar partie duhet të ketë mundësinë të shprehet apo japë mendimin e vet on-line. Teknologjia është, partinë e kemi, e gjithë struktura duhet të ketë komunikim digjital. Dhe mos harroni krahasimin e bëjmë me veten.
Natyrisht kohën e kemi përpara, por nëse dielli duket që në mëngjes atëherë shokë dhe shoqe, për të thelluar diferencën me kundërshtarët, beteja për mandatin tonë të katërt qeverisës varet vetëm angazhimi ynë sot në të gjithë territorin.
Partia Socialiste numëron në rradhët e saj 112.498 anëtarë, nga të cilët 106.358 janë në 61 bashkitë e vendit dhe 6140 anëtarë në strukturat tona jashtë Shqipërisë. Sikurse edhe vitin e kaluar, raporti anëtar partie / zgjedhës është 1 me 33.
Kongresi do të miratojë sot fillimin e një procesi real të hapjes së partisë në muajt në vijim, për një përmirësim të dukshëm të organizatrave tona socialiste në territor.
Prandaj Asambleja Kombëtare i ka propozuar Kongresit për miratim fillimin e një fushatë hapjeje të re, më të madhen dhe më realen të Partisë Socialiste, duke iu ofruar një mundësi të besueshme përfshirjeje të të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e strukturave tona vendore. Kongresi ngarkon Kryetarin për ngritjen e menjëhershme të Komisionit të Posaçëm të Riorganizimit.
Natyrshëm përbërja e Komisionit të Posacëm të Riorganizmit, do të synojë mbulimin e të gjithë territorit të vendit me qëllim zhvillimin e një analize të njëtrajtshme dhe efektive në cdo cep të Shqipërisë. Prandaj na duhet të fillojmë menjëherë nga puna.
Ta gëzojmë ditëlindjen e 30-të të Partisë Socialiste.