Numri i vdekjeve si pasojë e koronavirusit në Britani ka shkuar në 578, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit u regjistruan 113 vdekje.
Kjo ishte dita më e errët në Britaninë e madhe dhe sipas autoriteteve shëndetësore u regjistrua një viktimë çdo 13 minuta.
Zyrtarët shëndetësorë njoftuan gjithashtu se më shumë se 2.100 pacientë të ishin testuar pozitivë me COVID 19, duke e çuar në rreth 12 mijë numrin e të infektuarve.
Ndërkohë, spitalet në Londër tashmë janë duke luftuar me një “shpërthim” të spitalimeve të lidhura me infeksionin e Covid-19 ndërsa ‘tsunami’ i madh pritet ndoshta pas dy javësh kur të jetë dhe piku i pandemisë.
Në Gjermani rastet pozitive u rritën në mbi 47 mijë, më shumë se 6 mijë në 24 orët e fundit. Sidoqoftë, viktimat janë mbi 280, një numër që sinjalizon një hendek të thellë me shkallën e vdekshmërisë krahasuar me vende të tjera si Italia dhe Spanja, një ndryshim që nga ana e profesionistëve shpjegohet me 500 mijë teste tamponi që bëhën mesatarisht në javë.
“Arsyeja pse kemi kaq pak vdekje në Gjermani në krahasim me numrin e të infektuarve shpjegohet me faktin se ne bëjmë një sasi të madhe të testeve laboratorike”, tha Christian Drosten, virolog në Spitalin Charite të Berlinit. “Por është ende një qetësi para stuhisë”, tha Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn në Berlin.