Nxitje biznesit lokal të turizmit/ Margariti nënshkruan marrëveshje me bashkinë e Gjirokastrës

Ministria e Kulturës dhe bashkia e Gjirokastrës nënshkruan sot një marrëveshje për t’i ardhur në ndihmë biznesit lokal dhe për të nxitur turizmin.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se “pas uljes së çmimit të biletave të muzeve dhe siteve arkeologjike, po dhurojmë një sasi biletash, të cilat mund të përdoren nga operatorët hotelierë, si një ftesë e bukur drejt Gjirokastrës”.

“Gjirokastra na priti me një diell bujar, siç dinë të të presin këtyre anëve. Jemi sot në këtë qytet të jashtëzakonshëm, të cilin e ndajmë me gjithë botën, për të lidhur një marrëveshje me bashkinë e Gjirokastrës, për t’i ardhur në ndihmë biznesit lokal dhe për të nxitur turizmin”, – shprehet Margariti.

Ministrja Margariti tha se “është koha që të njohim më mirë vendin tonë dhe pasuritë e tij, ende të pashfrytëzuara”.

Gjirokastra tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas e të huaj me bukuritë natyrore, historike dhe kulturore. Kalaja dhe Qafa e Pazarit janë destinacionet kryesore për t’u vizituar në qytetin e gurtë. /atsh

Loading...