Petrit Ruka
KURRË MË!…
“O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,..”
Fan Noli. Hymni i Flamurit.
Në letërsinë shqipe ka pasur e do të ketë me mijëra vargje të bukur për flamurin tonë kombëtar. Po KURRË nuk ka pasur e nuk do të ketë dy vargje të tilla si këto të Nolit që e quan flamurin -Nënë e Babë.
Vetëm një mendje e ndritur si e tija, (padyshim më e ndritura në 100 vjetët e fundit në botën shqiptare) mund të kishte një perceptim kaq madhështor dhe rrëqethës për krye-simbolin tonë të lartë.
Sepse, më thoni ju, ç’ka tjetër më të epërme se nëna e baba në këtë botë?
Me sa duket, aktori brilant me famë botërore Bekim Fehmiu e dinte këtë gjë dhe nuk i zgjodhi më kot t’i deklamonte në vizitën e tij të fundit në Tiranë.
Duhet të jetë menduar gjatë se çfarë mund të zgjidhte nga tërë poezia shqipe dhe gjetja e tij ishte e jashtëzakonshme.
Sa për interpretimin është e kotë të flasim, nuk i recitoi, i këndoi duke nxjerrë prej kraharorit klithma gëzimi, krenarie dhe flakë shpirti. Duke thyer tërë rregullat e aktrimit që dergjen nëpër mijëra faqe librash…
Sa për Nolin, mund të shkruhet deri në majën e Malit të Tomorit.
Nuk besoj se gjendet ndonjë shpirt tjetër shqiptar i shekullit të kaluar që të jetë djegur aq gjatë për atdheun e vet si i tij, duke filluar nga përkthimet e Shekspirit e deri tek këto dy vargje që duhen gdhendur në murin e çdo shkolle fshati gjer në katundin më të largët.
Vërtet, pse nuk nxjerr një udhëzim Ministria e Arsimit të shkruhen në çdo klasë mësimi nga fillorja deri në universitete?!
Apo edukimi patriotik tashmë është një gjë demode?
Nderim për Jetë Imzot Fan S. Noli!
Unë për vete të bie ndër gjunjë e të përgjërohem që i nxore shkumë të bardha mirësie gjuhës shqipe si askush tjetër.
Si ty për mua nuk ka të dytë!