Të lodhur nga mbyllja në shtëpi dhe me dëshirën për të shijuar ditët e verës, të rinjtë në disa vende po kontribuojnë në rigjallërimin e sëmundjes, me grumbullimet e tyre për festa dhe aktivitete të ndryshme pushimesh.
Edhe në Gjenevë, ku ka selinë Organizata Botërore e Shëndetësisë, javën e kaluar u mbyllën restorante dhe klube, pasi provat tregonin se atje e kishin burimin gati gjysma e rasteve të reja me COVID-19.
“Të rinjtë duhet gjithashtu të kuptojnë se ata kanë përgjegjësi,” tha shefi i emergjencave të OBSH-së dhe baba i tre fëmijëve Mike Ryan gjatë një diskutimi në internet. “Bëjini vetes pyetjen: a duhet vërtet të shkoj në atë festë?”
Të rinjtë preken më pak nga format e rënda të COVID-19s sesa prindërit ose gjyshërit e tyre, por përqindja e të infektuarve që përfshin moshat 15-24 vjeç është rritur trefish në pesë muajt e fundit, sipas të dhënave të OBSH-së. Zoti Ryan tha se të rinjtë shpesh nuk dëshirojnë të japin emrat e shokëve për të gjurmuar personat e prekur.
“Është e vështirë por është e domosdoshme për të frenuar virusin,” tha ai. Epidemiologia e OBSH-së Maria Van Kerkhove tha se të rinjtë duhet të jenë të kujdesshëm, sepse edhe një variant i butë i sëmundjes mund të ketë pasoja afatgjata.