Drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge konfirmoi se nga 12 prilli ka pasur ulje të rasteve ditore në shtetet evropiane, por jo edhe në shtetet lindore si Bjellorusia, Kazakistani, Rusia dhe Ukraina, ku situata vazhdon të jetë shqetësuese.
Kluge mbetet në qëndrim se zbutja e masave mund të jetë e rrezikshme prandaj duhet të bëhet me kujdes të veçantë.
“Sot duke i parë masat në shtetet e rajonit, 43 shtete kanë zbatuar ndalesa strikte të pjesshme ose të tërësishme dhe 42 shtete kanë filluar t’i lehtësojnë masat sociale pasi arritën ta ulin transmetimin e virusit.
Situata mbetet shumë e brishtë dhe mund shpejtë të rikthehet nëse masat bazë nuk ruhen dhe nëse tranzicioni nuk planifikohet gradualisht dhe me kujdes “, deklaroi Hans Kluge, OBSH, për rajonin e Evropës.
OBSH mbetet në qëndrimin se përpara se të lehtësojnë masat, përfshirë edhe hapjen e shkollave, shtetet duhet të kenë njohuri të saktë se ku është virusi dhe t’i izolojnë të gjithë të infektuarit dhe të dyshuarit. Dhe pasi të lehtësojnë ndonjë masë të shqyrtojnë për dy javë se si kjo do të ndikojë në përhapjen e virusit.
Kluge tha se si pasojë e masave izoluese, që u shoqërua me humbjen e vendeve të punës, në shumë shtete evropiane është rritur për 60% dhuna në familje, ndaj grave dhe fëmijëve. Me këtë rast ai iu bën thirrje të gjitha shteteve që bashkë me pandeminë ta trajtojnë edhe këtë dukuri.
Ndërsa iu rekomandon të gjithë qytetarëve që të kujdesen për shëndetin e tyre mental përmes gjumit të mjaftueshëm, ushqimit të shëndetshëm, telefonata me të afërmit dhe kufizim të informacionit rreth pandemisë. Nga OBSH thonë se po vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e vaksinës kundër COVID 19.
“Për momentin kemi 6-7 vaksina që kanë hyrë në provat e hershme klinike. Ky është lajm shumë inkurajues, por duhet të jemi jashtëzakonisht realist se zhvillimi i vaksinës merr shumë kohë. Ashtu siç ka paralajmëruar OBSH, na duhet të presim që procesi të kalojë 18 muaj, që është një formë e përshpejtuar ndërsa zakonisht zhvillimi i një vaksine merr 7 vjet”, tha Catherine Smallwood, Programi i OBSH-së për Urgjencë Shëndetësore.