Sipas tyre, HIV mund të çojë në më shumë se gjysmë milioni vdekje, për shkak të ndërprerjes së trajtimeve, të shkaktuar nga izolimet.
“Kufizimet e vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit kanë penguar luftën kundër infektimit me HIV te gratë, duke kufizuar qasjen e tyre në arsim dhe mbrojtje nga dhuna seksuale”, tha në një studim Programi i Kombeve të Bashkuara për HIV/AIDS (UNAIDS).
Me përqendrimin e qeverive në trajtimin e pandemisë së koronavirusit, vëmendja dhe burimet janë zhvendosur nga mbrojtja e njerëzve të cenueshëm nga HIV-i – virusi që mund të çojë në sindromën e mungesës së imunitetit, të njohur si AIDS.
Ndërprerja gjashtëmujore e trajtimit kundër HIV-it mund të shkaktojë më shumë se 500,000 vdekje shtesë në Afrikën nën-Sahariane gjatë vitit të ardhshëm, duke e rikthyer rajonin në nivelet e vdekshmërisë nga AIDS në vitin 2008, paralajmëron raporti.
Raporti, i titulluar “Kapja e momentit”, thotë se miliona jetë janë shpëtuar nga terapia antiretrovirale që shtyp HIV-in dhe ndalon përparimin e AIDS-it. Megjithatë, 690,000 njerëz vdiqën nga sëmundjet e lidhura me AIDS-in vitin e kaluar dhe 12.6 milionë nga 38 milionë njerëz që jetojnë me HIV, nuk kanë pasur qasje në trajtim.
UNAIDS tha se rajonet më të rrezikuara për përhapje të HIV-it janë Evropa Lindore dhe Azia Qendrore, të cilat, së bashku, kanë pasur mbi 70 për qind rritje të infeksioneve të reja që nga viti 2010.